June 26, 2024
Maqedoni

Izet Mexhiti: “Të fortët e BDI-së” po ushtrojnë presion ndaj gjykatësve për kthimin e Gruevskit

Krerët e opozitës shqiptare të cilët përbëjnë frontin opozitar, Izet Mexhiti, Bilall Kasami dhe Afrim Gashi, sot kanë mbajtur një konferencë për media tek Gjykata Supreme, ku nga atje kryetari i Lëvizjes Demokratike, Izet Mexhiti, akuzoi partinë tjetër shqiptare në pozitë, BDI-në, që siç tha Mexhiti, BDI dhe disa individë të cilët janë instaluar në kryesinë e kësaj partie, po vazhdojnë të ushtrojnë presion ndaj gjyqtarëve në këtë gjykatë, për të kthyer Nikolla Gruevskin në vend.

IZET MEXHITI, KRYETAR I LËVIZJES DEMOKRATIKE

“Kjo nuk është aspak për t’u habitur, por është një indikator që duhet të shërbejë si vetëdijësim për të gjithë ne, që kjo parti politike është bërë një sinonim i hipokrizisë duke vepruar kundër çdo vlere evropiane teksa thirret në të njejtën. Nuk mundesh të jesh pro-evropian dhe të bëjshë presion ndaj gjyqësorit, nuk mundesh të jesh pro-evropian dhe të jesh pjesë e çdo afere korruptive, nuk mundesh të jesh pro-evropian dhe të veprosh kundër demokracisë”

Mexhiti thekson se këto janë një tregues që BDI-së nuk i intereson Bashkimi Evropian dhe ndryshimet kushtetuese.

IZET MEXHITI, KRYETAR I LËVIZJES DEMOKRATIKE

“Ata kanë nevojë që Gruevski të përpiqet të bëjë pazar politik me VMRO-DPMNE, për hyrje në një qeveri të paqendruar, duke bërë pazare me deputet e ardhshëm të LSDM-së. Sinqerisht më vjenë keq për nivelin me të cilin ka rënë Ali Ahmeti dhe BDI dhe këtë populli do ta dënojë ashpër në ditën e zgjedhjeve”.

Mexhiti në emër të frontit tha se ata shprehin mbështetje të pakompromis për gjyqtarët në Gjykatën Supreme dhe të njejtin ju bëjnë thirrje që të gjykojnë sipas ligjit.