Izet Mexhiti pritet të jetë kryetar i fraksionit të ri, do të kenë edhe selinë dhe emrin e tyre në kuadër të BDI-së?!
Edhe përskaj kundërshtimit të kryetarit të BDI-së Ali Ahmeti, “Grupi i Zjarrit” është i vendosur të formojë fraksion brenda BDI-së, e jo parti politike. Burime pranë këtij grupi, që tani e tutje do të jetë fraksion, thonë për Lideri.mk se që prej nesër do të fillojnë përgatitjet për formalizin në kuadër të BDI-së.
“Besojmë që udhëheqës do të jetë Izet Mexhiti, kurse do të kemi edhe selinë tonë dhe ndoshta edhe emrin tonë, por vetëm brenda BDI-së. Model të funksionimit do e kemi mënyrën si funksionojnë fraksionet në kuadër të partive në vendet demokratike evropiane. Selia jonë mryesore gjithsesi mbetet selia qendrore e partisë, por për aktivitete ditore me siguri do të kemi edhe një seli të veçantë”, sqarojnë këto burime, duke insistuar të mbeten anonime.
“Megjithatë duhet të shqyrtohen këto çështje dhe të vendoset për to. Mirëpo sa po shohim, Izet Mexhiti gëzon përkrahjen e të gjithë figurave të “Grupit të Zjarrit”, shtojnë ata në deklaratën për Lideri.mk.
Kurse Mexhiti sonte ka sqaruar shkaqet për vendimin që të funksionojnë si fraksion.
“Duam që të potencojmë që mendimi ndryshe për ne paraqet aktin më demokratik të mundshëm.
Pas mbledhjes së sotme që mbajti Bashkimi Demokratik për Integrim, duam që me transparencën më të lartë të informojmë gjithë opinionin e gjërë publik që fatkeqsisht konstatojmë se në BDI ekzistojnë standarde të dyfishta, edhe për sa i përket debatit që zhvillohet, por gjithashtu edhe në aspektin organizativ dhe programor. Prandaj sot u shterrën të gjitha mundësitë që ne të debatojmë në mënyrë të sinqertë për problemet reale të cilat në kontinuitet i kemi përseritur”, sqaron Mexhiti.
“Sot, duam qe të informojmë se ne do të vazhdojmë me aktivitetin tonë politik në bazë me anëtarësinë e partisë, me ç`rast duam që tju bëjmë thirrje të gjithëve që të na përkrahin në këtë rrugëtim, që të bashkëbisedojmë rreth dallimeve që i imponon ky ekzekutiv që ka uzurpuar organet vendimmarrëse dhe që janë kompetencë e partisë.
Rrjedhimisht, si rezultat i gjithë kësaj situate të krijuar, ju informojmë që nga sot ne do të funkcionojmë si fraksion brenda Bashkimit Demokratik për Integrim dhe do të kemi qëndrimet tona për të gjitha çështjet politike”, shtoi ai.
Këtë formë të veprimit e kundërshton kryetari i BDI-së, Ali Ahmeti, sepse sipas tij një gjë të tillë nuk e lejon statuti partiak. Ahmeti tha se statuti i partisë nuk parashikon fraksione andej edhe nuk pranohet veprimtaria e tillë e atij që deri sot njihej si Grupi i Zjarrit. Ai thekson se pakica duhet ti bindet shumicës dhe se çdo veprim në kundërshtim me statusin e partisë, paraqet anarki.