Ivanovska: Nuk mund ta ngremë kokën nga punësimet partiake
Komisioni Shtetëror për Parandalimin e Korrupsionit në seancën e sotme ka marrë vendim që të dorëzojë iniciativë për përgjegjësi në Qeveri dhe për ndjekje penale për pakujdesi dhe shpenzim të mjeteve buxhetore të drejtorit të Agjencisë së Filmit. Kryetarja e KSHPK-së, Biljana Ivanovska, në detaje shpjegoi rastin me Agjencinë e Filmit, raportet e auditimit për punën financiare të Agjencisë dhe dokumentet që janë kontrolluar, duke përfshirë edhe punësimin në Agjenci dhe punësimin e ekspertëve dhe personave me kontratë pune.
BILJANA IVANOVSKA, KRYETARE E KOMISIONIT SHTETËROR PËR PARANDALIMIN E KORRUPSIONIT
“ Nuk mund ta ngremë kokën nga punësimet partiake. Qeveria duhet të dëgjojë rekomandimet tona dhe të rilexojë raportet e auditimit”.
KSHPK ka miratuar iniciativë për ndjekje penale ndaj kryetarit aktual dhe ish-kryetarëve të komunës së Radovishit për shkak se 12 herë pa shpallur konkurs kanë punësuar një person si ushtrues detyre të drejtorit në ndërmarrjen publike “Pllavaja” Radovish. Anëtari i Komisionit, Nuri Bajrami, i cili iu referua rastit, tha se për punësimin e këtij personi nuk është publikuar asnjë konkurs asnjëherë dhe nuk ka pasur mundësi për kandidatë të tjerë, pra është mundur që vetëm një person të punësohet dhe të marrë pagë zyrtare. Sipas tij, kjo situatë nuk mund të quhet ndryshe veçse korrupsion dhe ndërhyrje në sistemin juridik.
KSHPK në fillim të seancës shqyrtoi Raportin e KE-së në pjesën që ka të bëjë me punën e tyre. Kryetarja Ivanovska tha se pavarësisht se janë pesë vjet në Komision, efekti i punës së tyre nuk mund të realizohet plotësisht për shkak të mosrealizimit të iniciativave të tyre nga institucionet, Qeveria dhe autoritetet tjera. Nuk e di, thotë ajo, si të motivohen institucionet që të zbatojnë nismat e Komisionit kundër Korrupsionit.