Kosovë

Ish presidenti kroat godet Beogradin nga Prishtina: Serbia është një vend i vogël!

Gjatë qëndrimit në Prishtinë, në takimin panshqiptar-ndërballkanik-evro-atlantik, Mesiq deklaroi se Serbia e Madhe nuk mund të krijohet dhe se ka ende njerëz si Sllobodan Millosheviqi, të cilët synojnë zgjerimin serb. Tubimi është mbajtur në kuadër të përkujtimit të 25 vjetorit të luftës për pavarësinë e Kosovës.

Me këtë deklaratë ish-presidenti kroat ka aluduar për presidentin serb Aleksandar Vuçiq. Mesiq ka thënë se Millosheviq është përgjegjës për viktimat në Kroaci, BeH dhe Kosovë, transmeton portali kosovar Koha Ditore.

“Faleminderit shumë që jeni këtu në 25 vjetorin e Pavarësisë së Kosovës. Kur shkova në Beograd atëherë, isha kryetar i Presidencës së Jugosllavisë. Guxoj të them se kam qenë presidenti i fundit i Jugosllavisë. Millosheviqi nuk mund të pajtohej me atë që ne propozuam – të krijonim një konfederatë. Ai nuk mori këshillën tonë dhe shkoi në një drejtim tjetër. Nisma ime ishte që secili vend të ecë rrugën e vet. Millosheviqi dhe njerëzit e tij nuk mund ta pranonin këtë model, i cili do të ishte pa luftë, pa viktima dhe do të ishte në interes të mbarë kombit. Të gjithë e pamë se si përfundoi dhe me sa viktima. Fatkeqësisht, ka ende nga ata, si Millosheviqi, që synojnë ta bëjnë Serbinë të madhe, por unë ju them se nuk mund të bëhet. Për të gjithë ata që mendojnë se Serbia mund të bëhet shtet i madh, them se Serbia është një vend i vogël në Ballkan”, ka thënë Mesic, shkruan Koha Ditore.