Ish kryeministri i Maqedonisë: Prifti Fotije heqi dorë nga identiteti maqedonas, u vu në shërbim të politikës serbe në Kosovë
Autoritetet e Kosovës dëbuan gjatë kësaj jave priftin Fotije, igumeni i manastirit të Zveçanit, që është Aleksandar Kostovski me shtetësi të Maqedonisë së Veriut.
Mediat maqedonase i dhanë jehonë këtij lajmi duke nxitur reagime se dëbimi është i paargumentuar dhe i padrejtë, përcjell INA.
Por, këtë e ka komentuar edhe ish-kryeministri i Maqedonisë dhe lideri aktual i partisë VMRO-Popullore, Lubço Georgievski.
“Mediat maqedonase sot i kushtojnë rëndësi të madhe dëbimit të Aleksandër Kostovskit nga autoritetet kosovare. Nuk e kuptoj se për çfarë është drama?! A jemi ofenduar nga politika e Kosovës apo nga Aleksandri që hoqi dorë nga identiteti fetar dhe me shumë gjasa kombëtar maqedonas dhe u vu në shërbim të politikës serbe në Kosovë?”, komentoi Georgievski.
Prifti Fotije, emri i të cilit është Aleksandar Kostovski, është i lindur në Shkup në vitin 1981, dhe pas mbarimit të akademisë së muzikës në Sofje të Bullgarisë, në vitin 2004 u bë murg në Kosovë në Dioqezën e Kishës Ortodokse Serbe, pas së cilës në vitin 2009 ai u bë igumen i manastirit afër Zveçanit, në veri të Kosovës, përcjell INA.
Informacionet janë se ai është dëbuar pasi ka paraqitur kërkesë për vazhdimin e qëndrimit në Kosovë. Shërbimet në Prishtinë e ndaluan dhe duke përmendur “arsye të sigurisë kombëtare” vendosën ta dëbojnë.
Kisha serbe akuzon se autoritetet e Kosovës nuk e respektuan Ligjin për liritë fetare dhe në mënyrë të paligjshme dhe arbitrare e dëbuan klerikun e tyre.
Prifti është deportuar mbrëmë me shoqërim policor në vendkalimin “Bllacë” dhe për 5 vite i është ndaluar hyrja në Kosovë.