May 2, 2024
Rajon - Botë

Gaza: bilanci i tmerrshëm i një dite nga ushtria izraelite, 400 të vrarë, prej tyre 70% fëmijë

Brenda një dite, të dielën, ushtria izraelite bombardoi 320 lokacione në Gaza, duke vrarë 400 palestinezë. Izraeli ka njoftuar më parë një fazë të dytë të luftës, e cila përfshin bombardime edhe më të rënda.

Shumica e të vrarëve ishin gra dhe fëmijë, thanë burimet mjekësore për agjencinë palestineze të lajmeve WAFA.
Sulmet u përqendruan në Jabalya dhe Beit Lahiya në veri, lagjet Al-Gusta dhe Al-Rimal dhe kampin e refugjatëve Al-Shati në perëndim dhe Khan Younis dhe Rafah në jug të Rripit të Gazës.

Sipas burimeve, rreth 70 për qind e të vrarëve ishin gra, fëmijë dhe të moshuar.

Burimet thanë se 44 palestinezë u vranë në provincën Khan Younis, 57 në Rafah, 168 në Al-Wusta, 66 në Gaza dhe 44 në veri.

Gjashtë u vranë dhe 11 u plagosën në një sulm me bombë në një shtëpi në Rafah. Pesë persona u vranë nga bombardimi i shtëpisë së familjes Abu Habis në Al-Sarara. Një tjetër sulm ndodhi në një shtëpi në Al-Maghraqa në qendër të Rripit të Gazës, duke vrarë katër persona dhe duke plagosur gjashtë të tjerë.

“Aeroplanët luftarakë të pushtimit kryen disa sulme në dy shtëpi në zonën Al-Tirnis të kampit Jabaliya dhe një xhami në kampin në veri të Rripit të Gazës, duke shkaktuar 20 të vdekur, ndërsa dhjetëra të tjerë janë nën rrënoja”, raportoi WAFA.

Sulme të shumta izraelite u raportuan pranë Kompleksit Mjekësor Al-Shifa në Gaza qendrore dhe pranë spitalit Al-Quds në lagjen Tel al-Hawa në perëndim të Gazës, i cili u shënjestrua për herë të dytë.

Autoriteti Palestinez deklaroi se “avionët pushtues kryen të paktën 25 masakra të dielën” duke synuar drejtpërdrejt shtëpi pa paralajmërime paraprake evakuimi.

WAFA citoi Ministrinë palestineze të Shëndetësisë të thoshte se “gjatë okupimit, zonat e banuara u shkatërruan plotësisht dhe u fshinë nga harta e Rripit të Gazës, duke i kthyer ato në gërmadha”.

“Disa familje janë fshirë plotësisht nga regjistrat në disa zona dhe kampe refugjatësh në Rripin e Gazës,” tha WAFA.

Ekipet mjekësore dhe të mbrojtjes civile kanë nxjerrë qindra të vdekur dhe të plagosur, por ende po punojnë për të nxjerrë qindra viktima të tjera që janë ende nën rrënojat e shtëpive të shembura, tha WAFA.