IPP “Arbën Xhaferi: 𝗔𝘀𝗼𝗰𝗶𝗮𝗰𝗶𝗼𝗻𝗶 𝗶 𝗸𝗼𝗺𝘂𝗻𝗮𝘃𝗲 𝘀𝗵𝗾𝗶𝗽𝘁𝗮𝗿𝗲 𝗻𝗲̈ 𝗥𝗠𝗩: 𝗻𝗷𝗲̈ 𝗶𝗱𝗲 𝗻𝗲̈ 𝗱𝘂𝗸𝗷𝗲 𝗲 𝗺𝗶𝗿𝗲̈, 𝗽𝗼𝗿 𝗻𝗲̈ 𝗲𝘀𝗲𝗻𝗰𝗲̈ 𝗲 𝗱𝗲̈𝗺𝘀𝗵𝗺𝗲 𝗽𝗲̈𝗿 𝘀𝗵𝗾𝗶𝗽𝘁𝗮𝗿𝗲̈𝘁
Këto ditë, një parti shqiptare e dëbuar rishtazi nga qeveria, lansoi idenë populiste të krijimit të një asociacioni të komunave shqiptare në Maqedoninë e Veriut, si kundërpërgjigje ndaj Perëndimit në kuadër të zhvillimeve rreth dialogut Kosovë-Serbi.
Kjo ide në dukje e mirë, në fakt është shumë e dëmshme për shqiptarët, për disa arsye:
Shqiptarët në Maqedoninë e Veriut përbëjnë 31.5% të popullatës së përgjithshme, ata kontrollojnë funksione ndër më të rëndësishmet në shtet dhe pothuajse gjysmën e territorit të vendit. Enklavizimi dhe minorizimi i tyre do të binte ndesh me përpjekjet e faktorit politik shqiptar për status shtetformues që nga pavarësia e vendit e këndej.
Sipas regjistrimit të fundit dhe numrave të popullatës rezidente sipas komunave, 446.245 shqiptarë jetojnë në 78 nga 80 komunat e vendit, duke treguar për një shtrirje gjeografike thuajse në tërë territorin e vendit.
Megjithatë, shqiptarët janë shumicë në vetëm 15 komuna, kryesisht rurale. Në këto 15 komuna jetojnë 333.308 shqiptarë, apo 75% e totalit. Asociacioni i këtyre 15 komunave do të linte jashtë kësaj strukture 112.937 shqiptarë, apo 25% prej tyre.
Asociacioni i tillë do të nënkuptonte heqjen dorë nga shumë komuna ku shqiptarët nuk janë shumicë por kur ata përbëjnë një përqindje të madhe të trupit votues dhe ku ata ushtrojnë kontroll të rëndësishëm politik, siç janë: Kërçova, Qyteti i Shkupit (me përjashtim të Çairit dhe Sarajit), Kumanova, Manastiri, Ohri, Velesi, Krusheva, Resnja, Dollneni, Jegunoci dhe Sopishtja.
Kjo ide duhet përjashtuar nga partitë shqiptare serioze, për shkak të konceptit të minorizimit dhe enklavizimit që ajo nënkupton, për shkak të përjashtimit të 25% të popullatës shqiptare në vend dhe për shkak të braktisjes së shumë komunave të rëndësishme për shqiptarët, duke përfshirë komuna që sot udhëhiqen nga shqiptarët dhe të tjera jetike për të ushtruar kontroll politik dhe mbrojtur interesat shqiptare në nivel vendi.