May 17, 2024
Maqedoni

Investimet e BE-së në rajon, Gir: Sistem më kontabël të projekteve infrastrukturore

“Drejt përmirësimit të implementimit ekonomik dhe investimeve për Ballkanin Perëndimor” është projekti i BE-së për të rritur transparencën dhe për të mënjanuar problemet e projekteve infrastrukturore, duke i kyçur edhe shoqatat civile. Studimi synon hapjen e debatit mbi rolin e qytetarëve dhe shoqërisë civile në politikbërje dhe menaxhimin infrastrukturor në ciklin e projektimit që deri tani ka qenë shumë i kufizuar. Ambasadori BE-së në Shkup, Dejvid Gir thotë se BE-ja po investon mjaftueshëm në infrastrukturën e Ballkanit Perëndimor.

“Planet ekonomike të Komisionit Evropian për investime në infrastrukturë në Ballkan janë të rëndësishme duke involvuar në këtë proces dhe transportin, suportohet një sektor shumë kompleks dhe i rëndësishëm. Në këtë proces me shoqatat civile ngrisim lartë transparencën dhe projektimin dhe do të kemi sistem më kontabël të projekteve infrastrukturore.”, – deklaroi ambasadori i BE-së në Shkup, Dejvid Gir.

Sektori civil kërkon përfshirje në këtë projekt

Palë të projektit, si shoqata “Estima” dhe shoqatat e transportit, thonë se kyçja e sektorit civil duhet të jetë pjesë e projekteve infrastrukturore që nga fazat e planifikimit.

“Shoqatat qytetare deri tani kanë qenë pak të kyçura në projektet infrastrukturore në vendin tonë dhe të rajonit. Deri tani shoqatat qytetare janë kyçur vetëm në mbrojtjen e ambientit, por tani po kyçemi dhe në fazën e zgjedhjes së projektit, planifikimit, por dhe deri në monitorim. Ka shumë keqpërdorime për furnizime publike dhe ne mundohemi që këto të anashkalohen. Nëse jemi të kyçur që nga fillimi i projekteve, besoj që do të ketë transparencë më të madhe.”, – theksoi Ana Kërstovska nga “Estima”.

“Projekti kyç infrastrukturorë është korridori 8, që është i kompletuar dhe modernizuar, që lidh Detin e Zi me Adriatikun dhe me këto korridore, Maqedonia do të bëhet vend i rëndësishëm. Jemi këtu për të parë ekspertizat e të gjitha palëve që të jemi më transparent dhe vonesat të jenë minimale. Në dekadën e fundit, shumica e mjeteve financiare të BE-së shkojnë për projekte infrastrukturore dhe duhet të ketë organizim më gjithëpërfshirës.”, – u shpreh Matej Zakonjsek nga Komuniteti i Transportit.

Ky studim, gjithashtu rekomandon dhe ndërlidhjen rajonale për shkëmbimin e ideve dhe praktikave ndërshtetërore. Rëndësi të veçantë duhet t’i kushtohet dhe monitorimit dhe mbrojtjes së ambientit, thuhet në këtë studim.