Maqedoni

Inspektorati Sanitar Shëndetësor: Në Shkup rreth 50% e fëmijëve, të pavaksinuar. MSh: Gjoba për prindërit që nuk vaksinojnë fëmijët

Këtë javë do të dihet nëse fëmijët e pavaksinuar pranohen në çerdhe. Rreth 50 për qind e fëmijëve që janë nëpër kopshte nuk janë të vaksinuar fare ose pjesërisht të vaksinuar, tha drejtoresha e Inspektoratit Sanitar Shëndetësor, Renata Mlladenovska. Ajo ka theksuar se përveç çerdheve do të ndëshkohen edhe personat përgjegjës, nëse gjendet një fëmijë i pavaksinuar.

“Pothuajse 50 për qind e fëmijëve që shkojnë në kopshtet e fëmijëve në Shkup janë të pavaksinuar ose të pavaksinuar plotësisht. Më duket një fakt dëshpërues për këtë shoqëri. Besoj se ky aksion duhet të vazhdojë edhe në ditët në vijim. Drejtorët e kopshteve kanë dhënë garanci se do të respektojnë masën dhe do të kontrollojnë. Problemi më i madh është në Shkup dhe fëmijët që tani vaksinohen nuk duhet të qëndrojnë në shtëpi 21 ditë. Gjatë ditës së djeshme janë bërë kontrolle të jashtëzakonshme edhe në qytete të tjera dhe janë vaksinuar më shumë se 90 për qind e fëmijëve.”, – deklaroi drejtoresha në Inspektoratin Shëndetësor, Renata Mlladenovska, për TVM2.

Nga Poliklinika “Bukuresht” thonë që vaksinimi të mbron nga sëmundjet infektive dhe se është shkurtuar distanca për vaksinim nga një vit në gjashtë muaj për t’i pranuar të gjitha vaksinat.

“Sipas mjekëve, fëmijë plotësisht i vaksinuar është ai që ka marrë tre doza të vaksinave dhe buster doza – revaksinim. Distanca sipas kalendarit është një muaj ndërmjet vaksinës së parë dhe të dytë,dhe një muaj ndërmjet vaksinës së dytë dhe të tretë. Deri më tani ndërmjet dozës së tretë dhe revaksinimit ishte një vit tash është shkurtuar në gjashtë muaj. Një fëmijë që ka marrë tani dozën e parë do të duhet të vaksinohet në nëntë muajt e ardhshëm për të përfunduar të katër dozat e diterpe-së.”, – thanë nga Poliklinika “Bukuresht”.

Për shkak të rrezikut nga përhapja e kollës së keqe, ministri i Shëndetësisë ka pranuar rekomandimet e Komisionit për Mbrojtje nga Sëmundjet Infektive. Prindërit që refuzojnë të vaksinojnë fëmijët e tyre mund të përballen me gjoba nga 300 deri në 650 euro.