September 29, 2024
Maqedoni

Incidenti në Haraçinë, çelet komuna, heshtje, asgjë ende nuk u zbardh

Komuna e Haraçinës pas incidentit të sulmit të armatosur ndaj kryetarit të komunës, Ridvan Ibrahimi dje ka rifilluar punën, raporton Alsat.

Komuna ishte mbyllur për dy ditë për shkaqe sigurie dhe se ajo ende vijon të jetë nën masa të forta policore.

Organet e rendit nuk kanë dhënë asnjë detaj lidhur me hetimet dhe sulmin me armë kallashnikovë në drejtim të kryetarit Ridvan Ibrahimi, ku mbetën të plagosur dy bashkëpunëtorë të tij.

Derisa MPB doli me njoftim se ka kapur dy persona të dyshuar, një ditë më pas ministri teknik i punëve të brendshme theksoi se një ditë më parë ishin arrestuar dy persona që dyshohej se kanë lidhje me ngjarjet në Haraçinë, por në ndërkohë u konstatua se njëri prej tyre nuk kishte lidhje me rastin, duke mos precizuar nëse personi tjetër ishte ose jo i përfshirë.