Ilustrime mbi të djathtën shqiptare
Mjafton të kujtosh vendin që i është dhënë Lëvizjes Nacional-Demokratike Shqiptare (NDSH) në ligjërimin historik kombëtar për të kuptuar stigmatizimin që i është bërë ekolit intelektual e politik të djathtë, kryesisht të viteve ’40-’60-të në hapësirën shqiptare.
Shkruan: Blerim HALILI, Prishtinë
Sa herë, në kohën tonë, i drejtohemi të kaluarës me qëllim të zbërthimit të saj apo ndriçimit të ndonjë segmenti të caktuar shoqëror a politik rëndom e marrim si referencë librin si tërësi shkrimore të sistemuar sipas një standardi të pranueshëm metodologjik e përmbajtjesor. Librin si kallëp të së vërtetës absolute, si regjistër besnik të asaj çfarë kë ndodhur. Por, ç’e do që edhe vetë libri nuk është gjë tjetër vetëm se një interpretim subjektiv i faktit?! Një selektim/përzgjedhje e fakteve dhe ndërtim narrativash të dëshirueshme mbi të. Për t’u ndërtuar kështu e vërteta e re, e dëshirueshme për veten. Dhe, nën regjimin e së vërtetës që ka krijuar libri si derivat i një regjimi, i një klime politike, ne bëjmë krimin mbi kujtesën dhe faktet: e krasitim të vërtetën, e ndërtojmë imazhin e dhunshëm dhe sistematik, të njëtrajtshëm mbi të kaluarën dhe botën, mbi mendimin politik dhe veprimin njerëzor. Prandaj, paradoksalisht, shpesh më afër të vërtetës së ndodhur në të kaluarën qëndrojnë burimet joformale sesa vetë libri si burim standard, i formalizuar e i diktuar nga një regjim politik. Kështu ,nuk duket e çuditshme kur për të njëjtën ndodhi ke para vetes dy terrene, dy lexime: njërin të historisë së pashkruar (ose të gjendur rrallë në formë të kujtimeve personale), të rrëfimeve të bartura si kujtesë kolektive, dhe, tjetrin, të historisë formale të standardizuar sipas normave metodologjike e principeve ideologjike. Dhe, këto të dyja rëndom janë antipode, dy realitete të ndryshme, njëra e vërtetë, por në shuarje e sipër për shkak të pushtetit të së dytës, dhe, e dyta, gjysmë e vërtetë, por mbizotëruese për shkak të fuqisë së pushtetit, të rendit zyrtar/shtetëror.
Një fakt tjetër i rëndësishëm, sa i përket interpretimit të së kaluarës dhe përpjekjes për ta shpjeguar atë ka të bëjë me qasjen përzgjedhëse: ne zgjedhim çfarë të flasim për të kaluarën. Duke e shpjeguar atë, ne reduktojmë ngjarje, përmes rrëfimit zgjedhim sekuenca, fragmente, individë dhe tërë imazhin për atë momentum kohor e ndërtojmë sipas asaj skeme. Por, ja që e kaluara, përkatësisht ai momentum kohor, është më kompleks se kaq, përbëhet nga ngjarje, sekuenca e tërësi veprimesh komplekse shkak-pasojë, që për shkak të ndërlikueshmërisë së tyre ne detyrohemi ta reduktojmë për ta bërë të mundshëm rrëfimin. Dhe, kjo, natyrisht, e gjymton të kuptuarit tërësor të fakteve dhe të rrjedhës historike.
Merita e panjohur e NDSH-së
Nëpër të njëjtën ecuri në mbamendjen tonë kolektive ka kaluar e djathta shqiptare në prag, gjatë dhe pas Luftës së Dytë Botërore. Një histori e tërë e mbetur në trashëgiminë popullore, në rrëfime familjare, në oda e në folklor, në ditarë personalë, në arkiva të aktgjykimeve në gjykata dhe e sfiduar dhunshëm nga pushteti i së vërtetës zyrtare: nami dhe roli i së majtës në çlirimin kombëtar. Mjafton të kujtosh vendin që i është dhënë Lëvizjes Nacional-Demokratike Shqiptare (NDSH) në ligjërimin historik kombëtar për të kuptuar stigmatizimin që i është bërë ekolit intelektual e politik të djathtë, kryesisht të viteve ’40-’60-të në hapësirën shqiptare. Lëvizjet dhe grupet politike të kësaj periudhe, ndonëse kishin për qëllim çlirimin kombëtar, lirinë dhe të drejtat e shqiptarëve, ato dallonin mes vete, jo vetëm për nga metodat dhe rrugët që duhej të ndiqnin shqiptarët, por edhe për nga ideja, botëkuptimi dhe orientimi ideologjik. Klasifikimi i tyre mund të bëhet në të djathta dhe të majta. Rreshtimi ideologjik i tyre i përcaktonte edhe metodat edhe principet dhe idetë politike. Kjo e përcaktonte edhe vlerësimin ndaj popujve dhe shteteve të tjera në miq dhe armiq, madje edhe klasifikimet dhe përçarjet e brendshme në vija ideologjike.
Përbërja dhe koncepti politik i NDSH-së
Lëvizja më meritore për t’u studiuar dhe për t’u zbardhur më shumë pa dyshim është Lëvizja Nacional-Demokratike Shqiptare, e njohur në popull si NDSH. Si lëvizje e djathtë, ajo ishte substrat i natyrshëm normativ e identitar i shoqërisë shqiptare të kohës dhe përbënte boshtin kryesor të rezistencës kundër pushtimit serb. Ajo ishte rilindje e dytë në rrethanat e reja; model konkret i vizionit politik shqiptar. Ishte lëvizje politiko-ushtarake rreth programit të së cilës u mblodh elita intelektuale, fshatarësia, punëtorët dhe studentët. Ajo ishte emëruesi i përbashkët i shumë klasave shoqërore, i patriotëve përparimtarë, i tabanit fetar, i myslimanëve dhe katolikëve, i qyteteve dhe fshatrave. Ishte, pra, lëvizje e rezistencës, derivat i gjeografisë dhe shpirtit shqiptar të kohës. Ishte ndjekja, burgosja dhe vrasja e krerëve të saj, që solli përfundimin e dhunshëm të saj si lëvizje. Për nga orientimi ishte, pra, e djathtë, demokratike, properëndimore, e bashkonte tabanin konservator e përparimtar fetar, atë intelektual, fshatarësinë dhe qytetin, zejtarët dhe bujqit.
Modeli i patriotit durimtar: Metush Krasniqi
Shuarja e aktivitetit të NDSH-së nuk qe edhe fundi i lëvizjes së djathtë. Janë përpjekjet sublime të atdhetarit Metush Krasniqi, që bënë që e djathta të rilind ani pse në rrethana të kontrollit dhe terrorit të ashpër shtetëror jugosllav. Personaliteti i Metush Krasniqit, si bartës besnik i programit të djathtë kombëtar, mbetet vegëza më e fuqishme e të djathtës politike te shqiptarët në Kosovë dhe Maqedoni, por jo vetëm. Vitet e formësimit të Metush Krasniqit (i lindur më 19 gusht 1928 në Dajkoc te Kamenicës, Anamoravë), përkojnë me dallgët e mëdha që i kaluan shqiptarët para, gjatë dhe pas Luftës së Dytë Botërore. Ai i përjetoi në familjen e vetë vështirësitë e jetës nga regjimet. Ishte nga një familje kryengritëse. Vetë babai i tij ishte disa herë kaçak ndërmjet viteve 1908-1945. Në fëmijërinë e Metushit ndodhi procesi i kolonizimit të Kosovës me familje serbe, kapitullimi i Jugosllavisë monarkike, ardhja e forcave gjermane, ndodhitë e Luftës së Dytë Botërore dhe të gjitha këto lanë mbresa në formësimin e tij moral, shpirtëror dhe intelektual dhe bënë që ai të mbetet shembulli më emblematik i mendimit dhe organizimit politik për shqiptarët e këtyre trevave. Për nga profesioni ishte mësues – i mësoi fëmijët në shkollat e Anamoravës, Shkupit dhe, më pas, në Shkollën Teknike në Prishtinë. Ishte me formësim të lartë patriotik. Solidarizohej me shokë dhe miq, fliste për gjendjen në Kosovë. Aksioni i mbledhjes së armëve dhe shpërnguljet e shqiptarëve për në Turqi përkojnë me kohën kur Metushi e konkretizon brengën e vet morale dhe intelektuale në organizim të vërtetë. Në pranverën e vitit 1957 mbahet Mbledhja e Roganës që, shënon formimin e Partisë Revolucionare për Bashkimin e Tokave Shqiptare me Shtetin Amë (PRBTSHSHA), të cilës i priu vetë Metushi. Ndër arsyet e themelimit të kësaj organizate përmenden disa fakte, për të cilat nevojitet kundërshtim dhe kryengritje: Shqiptarët në Kosovë nuk janë të barabartë; Vrasjet dhe dhuna janë bërë përditshmëri; Përfaqësimi disproporcional i shqiptarëve në organizatat shoqërore dhe shtetërore; Përfaqësimi në ato organizata nga shqiptarë të padenjë; Shpërnguljet për në Turqi po bëhen më qëllim të ndryshimit të treguesve demografikë (ulja e numrit të popullsisë autoktone shqiptare); Bashkimi me Shqipërinë, të cilit i jepet atribut i madh përmes të cilit arrihet liria, barazia, pushtetin e marrin në dorë shqiptarët, e formojnë ushtrinë, e përdorin gjuhën dhe flamurin (ai e kishte përjetuar “Shqipërinë e Madhe – madje e kujton me emocion klasën e pestë kur e ka mësuar në shkollë gjuhën shqipe për herë të parë); Aksioni i mbledhjes së armëve është i drejtuar me qëllim ndaj shqiptarëve; Të formohet formacion ushtarak në Anamoravën lindore, etj.
Si i dënuar me 18 vjet burg të rëndë, ai përjeton dënime të tmerrshme, por gjithmonë mbetet stoik dhe besnik ndaj idealit dhe ndaj shokëve. Insistonte të bashkëpunonte me atdhetarë të devotshëm dhe ruante konfidencialitetin e grupit. E donte leximin. Në aspektin organizativ nuk linte mangu asnjë dimension: menaxhimin e spikatur në stil ushtarak, anën simbolike, flamurin, betimin, letërsinë, bisedat për historinë dhe aktualitetin.
Përmbyllje
Pas përndjekjes dhe dënimeve që marrin anëtarët e grupit, edhe kjo lëvizje shuhet. Më shtypjen e kësaj lëvizjeje, në terren tashmë hasen grupe politike me orientim të majtë, që në njëfarë mënyre shënojnë edhe triumfin e të majtës në lëvizjen ilegale në Kosovë. Rilindja e të djathtës ndodh më 1989 kur themelohet Lidhja Demokratike e Kosovës.
E djathta e re, e lindur pra kur Jugosllavia po shembej, ndonëse ka vështirësi sociale dhe kohore për t’u ngjitur në trungun e vet vleror e politik historik, prapë identifikohet si vazhdimësi e së djathtës. Në rrethanat e reja, sidomos pas luftës së Kosovës, kur ajo po e gëzonte pushtetin politik, do të përballej me sfidën e korrupsionit, ikjes së të rinjve nga vendi, krimin e organizuar, mungesën e meritokracisë dhe të politikave zhvillimore për të rinj. Ndërsa e majta e re (që identifikohet me dy dekadat e fundit) duket se është në perspektivë. Si në rastin e Shqipërisë, ashtu edhe në atë të Kosovës. Në Kosovë, për arsye reale sociale dhe ekonomike (pra jo me motive ideologjike), ka një ikje të elektoratit nga e djathta dhe rreshtim të madh nga Lëvizja Vetëvendosje, që definohet si e majtë.
Mbetet sfiduese nevoja për studimin shumëdimensional, të paanshëm dhe korrekt të lëvizjes së djathtë, të meritës së saj historike në lirinë dhe themelet e shteteve tona, të trashëgimisë së saj në pikëpamje dhe vlera, të qëndrimeve dhe veprimeve të saj politike e ushtarake. Duke e njohur atë, do ta njohim më mirë botëkuptimin, vlerat dhe idetë e mendimit politik ndër shqiptarë në periudhat e dallgëve të mëdha.