Ilir Meta për helmimin e qytetarëve në Deçan: Qeveria shqiptare t’i gjendet pranë Kosovës
Presidenti i Shqipërisë, Ilir Meta, thotë se po e përcjell me shqetësim situatën emergjente që është krijuar në komunën e Deçanit, pas helmimit të qindra qytetarëve.
Meta, përmes një postimi në Facebook, u ka uruar shërim të shpejtë të helmuarve dhe nxit qeverinë shqiptare t’i gjendet pranë me mundësitë që ka, Republikës së Kosovës.
“Me shqetësim po e përcjell situatën emergjente në komunën e Deçanit. Qytetarëve të helmuar ju uroj shërim sa më parë dhe tejkalimin pa pasoja të kësaj situate. Familjeve të tyre ju shpreh mbështetjen dhe solidaritetin tim më të thellë. Me besimin e plotë se institucionet shtetërore përgjegjëse dhe drejtësia në Republikën e Kosovës i kanë të gjitha kapacitetet dhe po bëjnë përpjekjet e duhura për zbulimin, zbardhjen e shkaqeve dhe kapërcimin e tyre, e nxis Qeverinë shqiptare t’u gjendet pranë, sipas mundësive, me ekspertizë dhe çdo ndihmë të nevojshme. Shqipëria dhe Kosova gjithmonë krah njëra-tjetrës”, ka shkruar Meta.