Maqedoni

Ideja e Alternativës refuzohet nga Kovaçevski: Ide joserioze dhe antievropiane

Kryeministri Dimitar Kovaçevski e vlerëson joserioz, antievropian dhe antiamerikan idenë e Alternativës për formimin e Asociacionit të komunave shqiptare.

“Vlerësoj se ky propozim, e para, është i papranueshëm, joserioz. Duke marrë parasysh se ne këtu vetë i kemi rregulluar të drejtat se si do të jetojmë dhe sa do të përparojmë dhe në bazë të asaj jemi bërë vend anëtar në NATO, jemi bërë vend që negocion me BE-në dhe siguria dhe stabiliteti në shtetin tonë pas vitit 2001 është në nivel aq të lartë, sa jemi vend deponent i marrëveshjeve nga Procesi i Berlinit, të cilat i kanë firmosur të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor. Ata janë deponuar në Ministrinë tonë për Punë të Brendshme. Vlerësoj se një propozim i tillë është edhe joevropian, edhe joamerikan”, tha Dimitar Kovaçevski, kryeministër.

Propozimin e komentoi dhe ministri i Vetëqeverisjes Lokale Risto Penov, një nga pjesëmarrësit në negociata për ndarjen territoriale dhe decentralizimin në vitin 2001.

“Unë e kuptoj momentin tani, dikush dëshiron të merr pika politike, megjithatë duhet pasur kujdes, kërkesat dhe deklaratat e tilla mund të ndikojnë në raportet ndërnjerëzore që për fat të mirë sot janë shumë më stabile”, theksoi Risto Penov, Ministër i Vetëqeverisjes lokale.

Opinionisti Sefer Selimi dëshiron të besojë se kjo ide buron nga naiviteti politik i Alternativës. Ai thotë se ajo është një përpjekje për të gjetur kauzën me të cilën kjo parti do të sigurojë mbijetesën deri në zgjedhje.

“Krijimi i një Asociacioni të veçantë për komunat shqiptare, së pari do të ishte përjashtues për një pjesë shumë të madhe të shqiptarëve të cilët nuk jetojnë në komunat ku shqiptarët janë shumicë. E dyta, në Maqedoni funksionon bashkësia e njësive të vetëqeverisjes lokale ku nënkryetar i saj është, Visar Ganiu, kryetar i një komune me shumicë shqiptare. E treta, shqiptarët nuk janë minoritet në Maqedoninë e Veriut dhe nuk kërkojnë status special të trajtimit, kërkojnë status të trajtimit të barabartë me të gjithë qytetarët e tjerë, përfshirë edhe maqedonasit”, u shpreh Sefer Selimi, opinionist.

Përfaqësimi politik i shqiptarëve, thotë Selimi, ka arritur majat me një nga tre pozitat kyçe në shtet, gjë që dallon shumë nga situata në Kosovë, me të cilën Alternativa tërheq një paralele.

“Kjo deklaratë në asnjë formë dhe në asnjë logjikë nuk shoh që mund t’i ndihmojë kryeministrit Kurti apo t’ia lehtësojë pozitën kryeministrit Kurti apo Kosovës”, tha Sefer Selimi, opinionist.

Kjo ide, shton ai, ju shërben vetëm narrativeve të etnonacionalizmit maqedonas.

Idenë e Alternativës për krijimin e Asociacionit të komunave shqiptare e hodhën poshtë edhe partitë shqiptare, BDI-ja dhe Aleanca për Shqiptarët por edhe VMRO-DPMNE-ja. Alternativa ditë më parë propozoi shumicë komunash shqiptarë në Maqedoni, sipas modelit që kërkohet në Kosovë. Partia e Gashit shtoi se kjo mund të jetë një kauzë që mund t’i bashkojë të gjitha partitë shqiptare, madje edhe Alternativën që nuk ka komunë. /Alsat.mk