“Ide Gashi, Levica se pllashi”! Komentuesit “thumbojnë” Apasievin pas dështimit të interpelancës!
Pas dështimit të interpelancës ndaj kryeparlamentarit Afrim Gashi, ka pasur reagime të lloj llojshme në rrjetet sociale. Më së shumti kanë rënë në sy reagimet ndaj kryetarit të Levicës, Dimitar Apasiev, të cilin komentuesit e kanë thumbuar si propozues i interpelancës.
“Ide Gashi, Levica se pllashi”, kanë shkruar shumë prej tyre në rrjetet sociale, që në gjuhën shqipe përkthehet “Po vjen Gashi, Levica po tutet”.
Ndryshe, interpelanca e Levicës u rrëzua poshtë, me vetëm 21 vota pro dhe 72 vota kundër interpelancës. “Pro” kanë votuar deputetët e LSDM-së dhe Levicës.
Edhe pse interpelanca u propozua nga Levica, pushteti ka mbajtur qëndrimin se është skenar i përbashkët i Levicës, LSDM-së dhe BDI-së.
Kryetari Afrim Gashi ka vlerësuar se interpelanca nuk është kundër tij, por kundër përkatësisë së tij kombëtare dhe fetare./Lideri