Maqedoni

Ibrahimi: Arbër Ademi ia rriti rrogën vetes për 400-500 €! Mos e blloko rritjen e rrogave për 230 punëtorë shkencor, do e kesh përqindjen time!

Sekretari i Përgjithshëm i Alternativës, Zeqirija Ibrahimi në një status në Facebook ka akuzuar deputetin e BDI-së, Arbër Ademin se po refuzon rritjen e pagave të punëtorëve shkencor nëpër institutet shkencore.

Ibrahimi thotë se nëse votohet ndryshimi i Ligjit të veprimtarisë hulumtuese-shkencore, respektivisht nëse barazohen pagat me arsimin e lartë, ai është i gatshëm që përqindjen e rritjes së pagës së tij t’ia japë Ademit.

“Dje, në Ditën e Shkollës Shqipe, Arbër Ademi ia rriti rrogën vetes për nja 400-500€ plus, duke e ndryshuar Ligjin e arsimit të lartë. Megjithëse duket abuzim me fuqinë e numrave në Kuvend vetëm për arsye personale, besoj se këtë e ka bërë sepse nuk do jetë më deputet dhe i duhet ta sigurojë veten. Në anën tjetër, ai refuzon që këtë ta bëjë edhe për punëtorët shkencorë të instituteve shkencore, të cilat ka kohë që e kërkojnë këtë dhe shteti vazhdon t’i diskriminojë, madje duke e shkelur ligjin. Dëgjova se Arbër Ademi këtë refuzim e ka pikërisht për shkakun tim, sepse punoj në Institutin e Trashëgimisë Shpirtërore e Kulturore të Shqiptarëve – Shkup. Prandaj po shkruaj që të deklaroj publikisht se nëse ai e voton edhe ndryshimin e Ligjit të veprimtarisë hulumtuese-shkencore, që të nivelizohen rrogat me arsimin e lartë, jam i gatshëm që përqindjen e rritjes së rrogës sime t’ia jap atij vetë. Por, nuk është mirë që për shkakun tim t’i diskriminojë krejt hulumtuesit e Institutit të Trashëgimisë Shpirtërore e Kulturore të Shqiptarëve dhe 230 të punësuarit e tjerë në institucionet hulumtuese shkencore në vend”, ka shkruar Zeqirija Ibrahimi nga Alternativa.