Maqedoni

I dënuari për rastin “Monstra”, Afrim Ismailoviq, arrestohet në Kosovë

I dënuari me burgim të përjetshëm për rastin “Monstra”, në Maqedoninë e Veriut, Afrim Ismajloviq është arrestuar dje në Kosovë. Pas një aksidenti trafiku të ndodhur në Hajvali të Prishtinës, Ismajloviq u ftua për intervistim në stacionin policor. E pas verifikimit të kaluarës penale, Ismajloviqit i figuroi një urdhër-arrest nga shteti fqinj. Kjo bëri që ai nga prokurori të ndalohet për 48 orë.

Avokati i tij Besnik Berisha ka thënë për Express se ky urdhër-arrest ishte i viteve 2012/2013.

“Arrestimi i tij ka ndodhur dje në orët e pasdites. Ka qenë i rastësishëm si pasojë e një aksidenti trafiku. Përderisa ai është ftuar në stacionin policor për intervistim, sipas procedurave zyrtarët policorë kanë bërë verifikimin nëse i njëjti është i kërkuar edhe për ndonjë vepër tjetër penale, dhe i është shfaqur një urdhër arrest i vitit 2012/2013 i lëshuar nga Maqedonia e Vetiu”, ka thënë avokati Berisha.

Më tutje avokati i Ismajloviqit theksoi se për të njëjtën vepër penale klienti i tij ishte gjykuar më parë dhe se tani ishte në pritje të përfundimit të procedurave për strehim dhe azil në Kosovë.

“Për këtë urdhër-arrest dikur Ismajloviqi dhe një qytetar tjetër ishin arrestuar në Kosovë, paraburgosur, gjykuar me qëllim të ekstradimit, dhe Gjykata Themelore në Prishtine dhe ajo e Apelit e kishin refuzuar ekstradimin. Që atëherë Afrim Ismajloviqi ka qenë i lirë në Kosovë, natyrisht i është nënshtruar edhe procedurave për strehim, azil. Ka qenë në pritje të konfirmimit. Polici ka qenë i pa informuar për procedurat e ekstradimit dhe e ka njoftuar prokurorin”, tha më tutje Berisha.

E arrestimi i tij dhe ndalimi nga Policia e Kosovës, sipas Berishës është i kundërligjshëm.

“Dje e njoftova edhe prokurorin se kemi të bëjmë me një arrestim të kundërligjshëm. Mësova që çështja nga Prokuroria Themelore ka kaluar në atë Speciale. Deri më tani pasi nuk e kanë liruar besoj që do të bëjnë kërkesë për caktimin e masës së paraburgim, e që kjo kërkesë nuk duhet miratuar për shkak që ai është gjykuar për veprën e njëjtë”, ka thënë ai.

Arrestimin e tij e kanë konfirmuar edhe nga Policia e Kosovës.

” Më 1 prill, rreth orës 15:00 në bazë të urdhëresës ndërkombëtare është arrestuar i kërkuari mashkull shtetas i Maqedonisë dhe i njëjti është dërguar në qendrën e mbajtjes. Rasti do të trajtohet bazuar në procedurat e parapara për raste të tilla në koordinim me institucionet përkatëse”, thonë nga Policia e Kosovës.

Në ndërkohë Gjykata Penale e Shkupit më 23 shkurt të këtij viti ka dënuar me burgim të përjetshëm Alil Demirin, si dhe vëllezërit Agim dhe Afrim Ismailoviq të akuzuar për vrasjen e pesë fishtë në Liqenin e Smilkovës, më 12 prill. Dy të akuzuarit e tjerë Fejzi dhe Haki Aziri, gjykata i dënoi me 15 dhe nëntë vjet burgim. Kurse, Sami Luta është liruar nga akuza në mungesë të provave.