Hetuesja e ZPS-së mohon të jetë përfshirë në veprimet e arrestimit të Gucatit e Haradinajt
Hetuesja e Zyrës së Prokurorit të Specializuar, Zdenka Pumper e cila po dëgjohet në gjykimin ndaj ish-krerëve të Organizatës së Veteranëve të Luftës së UÇK-së në cilësinë e dëshmitares, ka deklaruar se nuk është përfshirë në veprimet e arrestimit të Hysni Gucatit e Nasim Haradinajt.
Kjo ani se ka kryesuar operacionin e kontrollit më 25 shtator 2020, përcjell Klankosova.tv.
Në ditën e gjashtë të dëshmisë së saj në Dhomat e Specializuara në Hagë, hetuesja e ZPS-së ka thënë se ajo personalisht nuk ka intervistuar asnjërin nga të akuzuarit dhe as ndonjë person tjetër në ndërtesën e organizatës.
Ajo ka theksuar se përfshirja e saj në kontrollin e çështjes OVL-UÇK ka filluar më 25 shtator.
Ndërsa iu është përgjigjur pyetjeve të avokatit të Haradinajt, Toby Cadman, hetuesja e ZPS-së hamendëson që ishte në Kosovë në kohën kur kishte marrë udhëzimet për këtë çështje.
Avokati Cadman: Pra, keni qenë në Kosovë më 22 shtator, apo jo?
Pumper: Parapëlqej të hamendësoj, nuk jam e sigurt ku isha atë ditë.
Avokati Cadman: Keni qenë në Kosovë më datë 22, sepse zoti Haradinaj në shoqërinë e tre oficerëve të KFOR-it, ju ka parë në Prishtinë atë ditë, e saktë?
Këtë pyetje e ka kundërshtuar prokurorja Valeria Bolici, meqë sipas saj, nuk ekzistojnë prova që Haradinaj e ka parë hetuesen Pumper në Kosovë.
Derisa në pyetjet se kush kishte përgjegjësi të përgjithshme lidhur me hetimet në teren, seanca ka vijuar e mbyllur për publikun, duke shtuar këtu edhe pyetjet për një person me të cilin Pumper thotë të ketë ndarë një zyrë pune e të cilit në këtë seancë ju referuan ‘personi X’.
Pumper lidhur me këtë, ka thënë se në atë periudhë kohore kanë ndarë të njëjtën zyrë por që kanë pasur tavolina të ndara pune duke shtuar se nuk është në dijeni nëse i njëjti ka udhëtuar ndonjëherë në Kosovë.
Avokati Cadman: A keni ndonjë sistem me anë të së cilit bëhet informimi ose shkëmbimi i informacionit në mënyrë të rregullt lidhur me gjërat që janë të rëndësishme për momentin për zyrën?
Pumper: Ne kemi takime të përjavshme çdo të premte, dhe kemi takime, kemi ekipe të cilave u janë caktuar projekte, ata takohen në mënyrë të rregullt, në përgjithësi më duhet të them që kemi një linjë komunikimi të rregulluar brenda përbrenda zyrës.
Avokati Cadman: Pra, nëse ndodh diçka e rëndësishme, ngrihet një çështje e rëndësishme, do të kishte një forum përmes së cilit i komunikohej kjo çështje e gjithë stafit të ZPS-së?
Ne e dimë që ngjarjet që kanë rrethuar këtë çështje, në qoftë se ne do ta pranojmë çështjen e prokurorisë, paraqisnin një çështje të rëndësishme, shqetësuese për ZPS-në nga data 7 shtator, a nuk është kështu?
Pumper: Po, ishte një çështje shqetësuese.
Avokati Cadman: Kur jeni informuar për këtë?
Pumper: Besoj që e kam thënë edhe më parë, nuk e mbaj mend se kur jam vënë në dijeni të kësaj çështje por u informova për të dhe ishte çështje shqetësuese dhe kemi folur rreth kësaj.
Avokati Cadman: Sigurisht si nëpunëse e lartë e zyrës, rreth datës 7 apo 8 shtator do të duhej të jeni informuar rreth saj apo jo?
Pumper: Nuk dua të spekuloj, e di që jam informuar por nuk e di se kur jam informuar.
Në ditët pasuese gjatë dëshmisë së saj në Hagë, Pumper kishte thënë se udhëzimet lidhur me këtë çështje i kishte marrë gojarisht nga prokurorja Valeria Bolici, ndërsa sot ka shtuar se ndër të tjera ka pranuar edhe e-mail nga Bolici si dhe një e-mail tjetër me informacione rreth dosjeve.
Pumper: Kam pranuar e-mail me dosjet mbi të cilat duhej të hartoja deklaratën time
“Kam marrë një e-mail ku më thuheshin dosjet ku gjendeshin komunikime të tilla dhe mbi bazën e të cilave më duhej të shkruaja paragrafët besoj 32 deri 34 të deklaratës sime. Kjo dosje ishte konsoliduar dhe ishte më e thjeshtë për mua për ta shqyrtuar atë, nuk kishte udhëzim lidhur me të”, ka thënë dëshmitarja Pumper.
Avokati Cadman tutje ka lexuar transkriptin e dëshmisë së saj dhënë ditë më parë para trupit gjykues.
Sipas tij Pumper gjatë dëshmisë ditë më parë ka thënë se ka marrë udhëzime vetëm gojarisht
“Ju aty thoni të kundërtën, thoni nuk ka pasur udhëzime me shkrim, se udhëzimet që i keni marrë nga zonja Bolici janë dhënë gojarisht”, ka thënë avokati i Haradinajt.
Por, me një gjë të tillë nuk është pajtuar dëshmitarja.
Pumper: Lidhur me çështjen OVL-UÇK kam marrë udhëzime me e-mail
“Nuk më kujtohet të kem thënë se nuk ka pasur fare udhëzime me shkrim, besoj se kam thënë se ka pasur udhëzime gojore, dua të konfirmoj se më kujtohet të kem marrë edhe udhëzime me shkrim disa e-mail, dhe kjo është në proces verbal të dëshmisë sime”, ka thënë dëshmitarja.
Tutje, avokati ka pyetur hetuesen e ZPS-së për mënyrën se si u është komunikuar rasti i rrjedhjes së dokumenteve të cilat u dërguan në OVL-UÇK.
Pumper: Në një pikë është bërë një takim nga kryeprokurori, por prokuroi i specializuar ka bërë një njoftim për këtë. Nuk e mbaj mend.
Avokati Cadman: Pra u bë një takim në nivel zyre kur ju u informuat për ketë rrjedhje të të dhënave?
Pumper: Atë nuk e mbaj mend, nuk e mbaj mend nëse ka pasur një njoftim në zyrë, por e mbaj mend që kapa sur një njoftim pas ca kohe sa i takon rrjedhjes së të dhënave.
Avokati Cadman: A bëhej fjalë për të gjithë zyrën që u informuat për këtë, apo bëhej fjalë për një skuadër të vogël?
Pumper: Për të gjithë zyrën.
Avokati Cadman: Çfarë hapash të tjerë pasues janë marrë pas këtij njoftimi. A janë marrë masa të tjera pasuese brenda përbrenda institucionit si rezultat i rrjedhjes së këtyre të dhënave?
Pumper: Siç e thash nuk e mbaj mend që prokurori i specializuar të ketë njoftuar rrjedhjen e të dhënave. Por çfarë mbaj mend unë është që u bë një ndryshim një hamendeshim i procedurës së protokollit të sigurisë menjëherë pas ndodhjes së këtij incidenti.
Hetuesja e ZPS-së që është dëshmitarja e parë në gjykimin ndaj ish-krerëve të OVL-UÇK, ka thënë se ka qenë e përfshirë në intervistimin e tre gazetarëve ndërkohë ka theksuar se nuk ka biseduar me ndonjë pjesëtar të Policisë së Kosovës.
Ajo ka përsëritur se përgjegjësia e përgjithshme e dhënies së informacionit ishte e prokurorit të specializuar dhe zëvendësit të tij ku sipas saj ata u jepnin detyra punonjësve të tjerë për kryerjen e hapave hetimor.