May 18, 2024
Kosovë

Haxhiu: Anëtarësimi në KE, me rëndësi të madhe

Ministrja e Drejtësisë e Kosovës, Albulena Haxhiu, ka deklaruar se zbatimi i vendimit të Gjykatës Kushtetuese të vitit 2016, për transferimin e 24 hektarëve tokë Manastirit të Deçanit, ka qenë kërkesë ndaj Kosovës për anëtarësim në Këshillin e Evropës. Vendimi i Gjykatës Kushtetuese ka qenë i padrejtë, por për shkak të rëndësisë së madhe që ka anëtarësimi i Kosovës në Këshillin e Evropës është vendosur që vendimi të zbatohet, tha Haxhiu.

“Duke e pasur parasysh rëndësinë që ka anëtarësimi i Kosovës në këtë mekanizëm tejet të rëndësishëm për qytetarët e Kosovës, por edhe vet për shtetin e Kosovës kemi konsideruar që duhet të adresohet dhe kemi vazhduar tutje. Tani përpjekja jonë është për hapat e radhës të Komitetit, Asambleja dhe tek Ministrat.”, – deklaroi ministrja e Drejtësisë e Kosovës, Albulena Haxhiu.

Vendimi për Manastirin e Deçanit u mirëprit nga i dërguari i posaçëm i Shteteve të Bashkuara të Amerikës për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Eskobar, i cili gjatë takimit të djeshëm në Prishtinë nuk ka arritur ta bindë kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, për shtyrjen e vendimit për përdorimin e dinarit nga serbët e Kosovës. Eskobari shpreson se një zgjidhje do të gjendet të martën, kur kryenegociatorët e Kosovës dhe Serbisë do të takohen në Bruksel. Zyrtari amerikan po ashtu ka thënë se nuk ka marrë asnjë garanci nga kryeministri Kurti për ta çuar përpara draft-statutin për themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe. Ndërkohë, zëdhënësi i Bashkimit Evropian, Peter Stano, ka konfirmuar se më 19 mars do të mbahet një takim i ri në kuadër të dialogut në Bruksel. Takimi, sipas Stanos, do të jetë në nivel të kryenegociatorëve, ndërsa përveç çështjes së dinarit, do të trajtohet edhe zbatimi i Marrëveshjes së Ohrit.