May 16, 2024
Rajon - Botë

Hamasi: Jemi të gatshëm për një marrëveshje me Izraelin që përfshin lirimin reciprok të të gjitha pengjeve

Përgjegjësi i Hamasit për Gazën, Yahya Sinwar njoftoi se janë të gatshëm për një marrëveshje që përfshin lirimin e të gjithë të burgosurve palestinezë nga burgjet izraelite në këmbim të lirimit të pengjeve që kanë, transmeton Anadolu.

Sipas një postimi në kanalin Telegram të televizionit “Al-Aqsa”, thuhet se përgjegjësi i Hamasit për Gazën, Yahya Sinwar ka bërë një deklaratë lidhur me shkëmbimin e pengjeve me Izraelin.

“Rezistenca (Hamasi) është i gatshëm të bëjë menjëherë një marrëveshje shkëmbimi që përfshin lirimin e të gjitha pengjeve në burgjet izraelite në këmbim të lirimit të të gjithë pengjeve që posedojmë”, deklaroi Sinwar.

Zëdhënësi i Brigadave Izzeddin Kassam, Abu Obaida në një deklaratë të bërë pak kohë më parë, deklaroi se janë të gatshëm t’i japin fund çështjes për pengjet izraelite në këmbim për lirimin e të burgosurve palestinezë nga burgjet izraelite.

Krahu i armatosur i Hamasit, Brigadat Izzeddin Kassam, në një deklaratë më 16 tetor kishte informuar se posedojnë 200 deri në 250 pengje përfshirë në mesin e tyre edhe ushtarakë të nivelit të lartë.

Zëdhënësi i Brigadave Izzeddin Kassam, Abu Obaida në një deklaratë me shkrim më 26 tetor njoftoi se 50 pengje izraelitë kanë humbur jetën në sulmet e ndërmarra nga Izraeli në Rripin e Gazës.

– Situata e fundit në Gaza

Për shkak të sulmeve intensive të Izraelit në Rripin e Gazës nën bllokadë u ndërprenë plotësisht shërbimi i komunikimit për linjat fikse telefonike, të telefonisë celulare dhe të internetit.

Ushtria izraelite njoftoi rritjen e sulmeve ajrore dhe zgjerimin e operacioneve tokësore.

Në shënjestrën e ushtrisë izraelite ishte edhe kompleksi më i madh shëndetësor, spitali “Al-Shifa” në të cilin ndodhen mijëra civilë të plagosur.