May 3, 2024
Rajon - Botë

Guterres i bën thirrje Izraelit ndalojë dhe të ndryshojë vendimet për vendbanimet

Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, Antonio Guterres, i kërkoi qeverisë izraelite “të ndalojë dhe të ndryshojë” vendimet e saj të fundit mbi aktivitetin e vendbanimeve në Bregun Perëndimor të pushtuar, raporton Anadolu.

“Sekretari i Përgjithshëm është thellësisht i shqetësuar nga vendimi i qeverisë izraelite për të ndryshuar procedurat e planifikimit të vendbanimeve. Ndryshimet mund të pritet të përshpejtojnë avancimin e planeve izraelite të vendbanimeve në Bregun Perëndimor të pushtuar, duke përfshirë Kudsin Lindor”, tha në një deklaratë zëvendës zëdhënësi i OKB-së, Farhan Haq.

Ai shtoi se Sekretari i Përgjithshëm është gjithashtu thellësisht i alarmuar nga avancimi i pritshëm javën e ardhshme i mbi 4 mijë njësive të banimit nga autoritetet izraelite të planifikimit.

Guterres përsëriti se vendbanimet janë “një shkelje flagrante e së drejtës ndërkombëtare” dhe një pengesë e madhe për realizimin e një zgjidhjeje të qëndrueshme me dy shtete dhe një paqe të qëndrueshme.

Ai vuri në dukje se zgjerimi i vendbanimeve “është një shtytës i rëndësishëm i tensioneve dhe dhunës, si dhe thellon nevojat humanitare”.

Zgjerimi “vërteton më tej pushtimin e Izraelit të territorit palestinez, cenon tokën dhe burimet natyrore palestineze, pengon lëvizjen e lirë të popullsisë palestineze dhe minon të drejtat legjitime të popullit palestinez për vetëvendosje dhe sovranitet”.

Guterres i kërkoi qeverisë izraelite të ndalojë dhe të ndryshojë vendimet e këtilla dhe të ndërpresë menjëherë dhe plotësisht të gjitha aktivitetet e vendbanimeve në territorin e pushtuar palestinez, duke respektuar plotësisht detyrimet e saj ligjore në këtë drejtim.

Ai më tej bëri thirrje për hapa më konkretë për zbatimin e angazhimeve të marra në komunikatat e përbashkëta në Akaba, Jordani dhe Sharm al-Sheik, Egjipt.

Vendimi i Izraelit rreth vendbanimeve

Qeveria izraelite shpalli tenderë të rinj të dielën për të ndërtuar rreth 4.500 njësi vendbanimesh në vendbanimet ekzistuese në të gjithë Bregun Perëndimor.

OKB-ja e konsideron aktivitetin e vendbanimeve izraelite të paligjshëm dhe thotë se kjo minon zgjidhjen e dakorduar ndërkombëtarisht me dy shtete.

Vlerësimet tregojnë se rreth 700 mijë kolonë jetojnë në 164 vendbanime dhe 116 poste në Bregun Perëndimor të pushtuar.

Sipas ligjit ndërkombëtar, të gjitha vendbanimet hebraike në territoret e pushtuara konsiderohen të paligjshme.