May 17, 2024
Maqedoni

“Grupi i Zjarrit” mund të aktivizohet sërish brenda BDI-së, sepse disa gjëra “po shkojnë ngadalë”!

“Grupi i Zjarrit” me muaj të tërë ishte top-temë në skenën politike shqiptare në Maqedoninë e Veriut. Mirëpo ky grup u shua para një muaji e gjysëm, kur Izet Mexhiti vendosi të themelojë subjekt të ri politik, kurse “shtyllat” tjera të grupit, Musa Xhaferi, Blerim Bexheti dhe Nevzat Bejta vendosën të rikthehen në BDI. Në fakt, ata asnjëherë nuk kishin lëshuar zyrtarisht BDI-në, por kryesia partiake i pat shpallur të “vetëpërjashtuar”.

E burime të sigurta të Agjencisë së Lajmeve Zhurnal thonë se “Grupi i Zjarrit” sërish ka filluar të tregojë shenja pakënaqësie dhe të aktivizimit të mundshëm, sepse, siç thonë, “nuk është përmbushur as 50 për qind e marrëveshjes për rikthimin e tyre në parti”.

“Gjërat po shkojnë shumë ngadal edhe pse kur u bë marrëveshja për rikthim ato kanë qenë të afatizuara në mënyrë shumë konkrete”, kanë thënë burime partiake të afërta me “Grupin e Zjarrit”.

Vonesa nga kryesia e partisë dhe kryetari Ali Ahmeti deri tani është arsyetuar me angazhimin e madh rreth proceseve që duhet të sjellin deri te ndryshimet kushtetuese. Ky arsyetim nuk u ka bë shumë përshtypje udhëheqësve të “Grupit të Zjarrit”, sepse ndryshimet kushtetuese dhe plotësimi i marrëveshjes nuk kanë asgjë të përbashkët mes veti.

“Bëhet fjalë për poste që duhej të marin njerëz të afërt të udhëheqësve të Grupit të Zjarrit e që ende nuk i kanë marë, por edhe për përshpejtimin e disa procedurave për realizimin e projekteve të rëndëishme në Saraj, që deri tash duhej të mbaronin. Është e qartë se pengesa po bëjnë disa funksionarë të lartë të partisë, të cilët po i bëjnë presion kryetarit Ahmeti të mos e plotësojë marrëveshjen dhe po kërkojnë që Musa Xhaferi, Blerim Bexheti e Nevzat Bejta të trajtohen si anëtarë të thjeshtë të partisë, e jo si zyrtarë të saj”, kanë sqaruar burimet e “Zhurnal”-it, duke përmendur fillimin e tetorit si afat të ri kur marrëveshja duhet të plotësohet edhe pse afati fillestar ka qenë fundi i gushtit.

Në rast se grupi riaktivizohet, sërish do të mëtojë të funksionojë si fraksion brenda partisë, kurse të vogla janë gjasat që t’i bashkohen “ish-bashkëluftëtarit” Izet Mexhiti te partia Lëvizja Demokratike, ose të formojnë subjekt të tyre politik. Një pikëpyetje tjetër është nëse ky grup, në rast riaktivizim, do të ketë peshën të cilën e pati para se të “shuhej” në korrik./