Maqedoni

Grubi: Fuqitë antiperëndimore po e shfrytëzojnë paqartësinë e BE-së në Ballkan

Emisioni ‘Balkan Talks’ në Euronews Albania ka në fokus zhvillimet më të fundit politike dhe diplomatike në Republikën e Maqedonisë së Veriut dhe këto zhvillime i analizon zv.kryeministri i parë i RMV-së, Artan Grubi.

“Mungesa e një dore evropian dhe amerikane në Ballkanin perëndimor i ka lënë një hapësirë forcave, të cilat jo gjithmonë ia kanë dashur të mirën popujve të Evropës Juglindore. Këto forca janë në funksion të destabilizimit të rajonit, po eksperimentojnë me kufijtë dhe viktima gjithmonë do të jemi ne”, – rrëfen zv.kryeministri i parë i RMV-së, Artan Grubi.

Konflikti për historinë me Bullgarinë ka sjellë pasojë në RMV, sipas z. Grubi, pasi nuk mund të hapen negociatat me BE-në.

“Mos hapja e negociatave për anëtarësimin në BE është shkaktuar nga situata me Bullgarinë. Zgjedhjet e zhvilluara në Bullgari nuk nxorën fitues dhe vendi do shkojë sërish në zgjedhje në korrik, por pa qeverinë e re nuk mund të dimë kur do fillojnë sërish negociatat midis Shkupit dhe Sofjes, që do zhbllokonte dhe ecurinë tonë drejt anëtarësimit në BE”, – thotë ai.

Sipas zv.kryeministrit, kjo çështje po kthehet në politike dhe nuk duhet të ndodhë kështu, por i duhet lënë në dorë ekspertëve.

“Vijojnë takimet mes dy palëve në komitetet që janë ngritur me pjesëmarrës nga të dyja shtetet, por duhet t’i lihet në dorë ekspertëve dhe të mos kthehet në politike. Vendi ynë ka ndërmarrë hapa duke ndryshuar emrin e shtetit, kushtetutën dhe duke bërë reformat e nevojshme dhe nuk meriton një bllokadë të tillë. Kjo bllokadë që kemi tani vë në pikëpyetje besueshmëria ndaj BE-së”, – shprehet një nga figurat kryesore të BDI-së, Artan Grubi.

Zv. kryeministri analizoi dhe deklaratën e bërë nga Komisioneri Varhelyi, duke thënë se të njëjtën deklaratë kanë bërë para një viti duke thënë se do na ndanin nga Shqipëria se ishim para me reformat, por nuk ndodhi se nuk e miratuan vendet e BE-së.

“Kancelarja gjermane ka qenë në favor të integrimit duke mos na ndarë në rrugën e çeljes së negociatave. Thashë më herët që kjo është deklarata e Komisonerit Varhely, por vendimi merret nga vendet anëtare në fund”, – tregon zv.kryeministri i parë në RMV, Artan Grubi.