Maqedoni

Gostivar, ktheheshin nga varrimi, u sulmuan me armë nga një 23-vjeçar

Një person është lënduar lehtë në incidentin që dje rreth mesditës ka ndodhur në fshatin Gjurgjevishte të Gostivarit. Një banor i ri i fshatit me pushkë ka gjuajtur në grupin e njerëzve të cilët ktheheshin nga varrimi. Policia heton pas tij dhe tani për tani nuk dihen motivet të cilat e shkaktuan incidentin.

Nga SPB Tetovë informojnë se dje (2 shtator në orën 12 e 20 minuta) është paraqitur ngjarja. Sipas të dhënave të para S.I.(23) nga Gjurgjevishte, nga automjeti në qarkullim ka gjuajtur me pushkë disa herë ndaj njerëzve të cilët ktheheshin nga varrimi. Lëndime të lehta trupore ka marrë F.M.(46) nga fshati i njejtë, të cilit i është dhënë ndihmë në spitalin e përgjithshëm të Gostivarit “Ferid Murad”.

Ekipi i RPB-së Gostivar ka kryer inspektim, ndërsa në vendin e ngjarjes janë gjetur dhe marrë për ekspertizë dy plumba dhe një projektil. Ndërmerren masa për zbardhjen e rastit.