Rajon - Botë

Gjysmëhëna e Kuqe Palestineze: Izraeli kërcënon të bombardojë spitalin Al-Quds në Gaza

Shoqata e Gjysmëhënës së Kuqe Palestineze (PRCS) ka bërë të ditur se forcat izraelite kërcënuan të bombardojnë spitalin Al-Quds në Rripin e Gazës, i cili strehon mijëra gra dhe fëmijë të zhvendosur, transmeton Anadolu.

Organizata humtniare në rrjetet sociale tha se rreth 12 mijë njerëz të zhvendosur, ndër të cilët 70 për qind fëmijë dhe gra, janë në rrezik të menjëhershëm pasi forcat izraelite kërcënuan të bombardojnë spitalin Al-Quds dhe kërkuan evakuim.

“Ky vend mund të bëhet hi nëse këto kërcënime kryhen. A ka një fuqi botërore të aftë për të ndalur kërcënimet e ushtrisë pushtuese izraelite për të bombarduar spitalet me civilë të pafajshëm brenda”, tha PRCS.

Organizata i bëri thirrje komunitetit ndërkombëtar të “veprojë urgjentisht” për të shmangur një “katastrofë tjetër si spitali Al-Ahli”.

Sipas zyrtarëve shëndetësorë në Gaza, të paktën 471 njerëz u vranë dhe shumë të tjerë u plagosën në sulmin ajror izraelit në spitalin Baptist Al-Ahli në fillim të kësaj jave. megjithatë, Izraeli mohoi përgjegjësinë për sulmin ajror.

Konflikti në Gaza, nën bombardimet dhe bllokadën izraelite që nga 7 tetori, filloi kur Hamasi nisi operacionin “Tufani i Aksasë”, një sulm i befasishëm i shumëanshëm që përfshinte një breshëri lëshimesh të raketave dhe infiltrimesh në Izrael përmes tokës, detit dhe ajrit. Grupi tha se operacioni ishte në hakmarrje për sulmin ndaj xhamisë Al-Aksa dhe dhunës në rritje nga kolonët izraelitë kundër palestinezëve.

Ushtria izraelite më pas nisi një operacion kundër objektivave të Hamasit në Rripin e Gazës, së bashku me shtimin e bastisjeve dhe arrestimeve në Bregun Perëndimor të pushtuar.

Rrethimi izraelit ka lënë 2.3 milionë banorët e Gazës me pak ushqim, ujë, karburant dhe furnizime mjekësore.

Të paktën 4.137 palestinezë janë vrarë në sulmet izraelite në enklavën palestineze, ndërsa në palën izraelite ka mbi 1.400 të vrarë.