Maqedoni

Gjykimi për “Llaskarcën”, drejt fundit

Gjykimi për aksidentin tragjik të autobusit në afërsi të fshatit Llaskarcë po shkon drejt fundit. Të martën, është caktuar seancë e re, por nuk është e sigurt nëse do të zhvillohet. Njëri nga anëtarët e trupit gjykues dhe një avokat kanë rezultuar pozitiv për virusin korona.

Gjithashtu, avokati i njërit prej të pandehurve në këtë rast ishte Marko Zvërlevski i cili ndërroi jetë dhjetë ditë më parë. I pandehuri tani duhet të angazhojë avokat të ri, që është kusht që të zhvillohet një seancë gjyqësore. Rasti është në një fazë kur të pandehurit japin mbrojtjen e tyre, e cila është në fakt e fundit para fjalëve pëmbyllëse.

Nëse do të arrihet shpejtë te fjalët përmbyllëse varet nëse prokuroria dhe mbrojtja kanë dëshmi shtesë dhe, nëse gjykata do t’i pranojë ato ose jo. Sipas informacionit të Alsatit, mbrojtja po përgatit dëshmi shtesë. Në rastin “Llaskarca”, të akuzuar janë edhe pronari i “Durmo Tours”, Durmish Beluli, personi përgjegjës për transportin, Remzi Miftari, shoferi i autobusit, Manoil Trifunovski dhe tre punonjës të tjerë në stacionin e kontrollit teknik në pronësi të Belulit. Ata akuzohen për kryerje të veprimeve të rënda kundër sigurisë së njerëzve dhe pasurisë në trafik. Aksidenti me autobus ndodhi më 13 shkurt 2019, afër fshatit Llaskarcë në të cilin humbln jetën 16 pasagjerë, dhe më shumë se 30 u lënduan. Sipas akuzës, shkaku kryesor i aksidentit ishte defekti i frenave të autobusit dhe vozitja e shpejtë.