Gjykata Penale e Shkupit: Nuk i është vjetërsuar lënda Daravelskit
Për zbatimin e dënimit, mbajtjen e burgut, për ish-drejtorin e Drejtorisë doganore Dragan Daravelski nuk ka hyrë në fuqi vjetërsimi pasi për nenin ligjor sipas të cilit është dënuar për keqpërdorim të pozitës zyrtare, vjetërsimi hyn në fuqi 20 vjet nga shpallja e aktgjykimit, i cili në këtë rast ka marrë formë të prerë në vitin 2008. Këtë sqarim e ka dhënë Gjykata Penale e Shkupit pasi që në opinion u ngritën dyshime për përshtatshmërinë e arrestimit të tij, dje në pikën kufitare “Tabanovc” kur tentoi të hynte në vend nga Serbia, ku i fshihej drejtësisë për dy dekada, transmeton Portalb.mk.
“Vjetërsimi i ekzekutimit të dënimit për këtë lloj shpërdorimi të detyrës zyrtare, për të cilin vendimi ka marrë formë të prerë në vitin 2008, hyn në fuqi pas 20 vitesh”, sqaron gjykata.
Pas spekulimeve se ai do të kalojë vetëm një natë në burgun “Idrizovë”, ku u dërgua dje, sot në gjykatë thonë se sipas informacioneve të tyre ai është ende aty dhe pritet Gjykata e Shkallës së Parë në Kumanovë, ku Daravalski për herë të fundit kishte regjistruar vendbanimin, ta mbajë në burg ose në rast të marrjes së ndonjë kundërshtimi apo ankese ta përcjellë lëndën në Gjykatën Penale në Shkup.
Daralevski u arrestua dje në pikën Kufitare Tabanovc gjatë hyrjes në Maqedoninë e Veriut, i cili është i kërkuar me fletarrest ndërkombëtar.
Pas arrestimit ai është dërguar në Burgun e Idrizovës në Shkup.
Të njëjtën gjë konfirmoi edhe Ministria e drejtësisë, e cila tha se vjetërsimi i lëndës për Daralevskin hyn në fuqi në vitin 2028.
Kush është Dragan Daravelski?
Ish shefi i Drejtorisë së Doganës së Maqedonisë, është i dënuar në mungesë, për keqpërdorim të detyrës zyrtare në Doganë në periudhën prej 1999-2002 me vlerë prej mbi 2 milionë euro. Pas kumtimit të aktgjykimit në vitin 2007, për Daravelskin ka pasuar edhe një sërë padish penale për keqpërdorim të autorizimit dhe detyrës zyrtare në baza të ndryshme, ndërkaq mes tyre më e rënda është edhe për mospagim të të ardhurave nga doganat në Buxhetin e shtetit.
Në vitin 2016-të autoritetet serbe e kanë arrestuar, por në momentin e fundit i shpëtoi ekstradimit, pasi u kuptua se ai ka nënshtetësi të Serbisë.
Sipas një teksti të BIRN Maqedoni të botuar në vitin 2016-të, pushteti Daravelskit ia ka konfiskuar, banesën luksoze në Shkup dhe shitoren në Kumanovë, me vlerë përafërsisht prej 200.000 euro, për të cilën është sjellë vendim për shitje.
Përveç pronës në emër të tij, atij i janë konfiskuar edhe prona tjera të cilat formalisht kanë qenë të shkruara në emër të personave të tjerë, por shteti ka arritur të zbulojë lidhjen me Daravelskin. Ndër to, më i rëndësishëm është malazezi Miodrag Markoviç, vila e të cilit në Vodno kapë vlerën prej 1.4 milionë euro. Markoviq, është i dënuar dhe po e mban burgun në Idrizovë për larje parash me vlerë prej 8 milionë euro.
Situata u prit që të ndërrohet në vitin 2011, kur Maqedonia, Kroacia, Mali i Zi dhe Serbia nënshkruajtën marrëveshje për ekstradim, me të cilën është hapur rruga e ekstradimit të shtetasve të tyre, por institucionet e vendit nuk e kanë ekstraduar.
Në vitin 2013, në mediume u paraqit fotografia e tij në koncertin “Depesh Mod” në Beograd, ndërkaq bashkëshortja e tij, Viktorija Xhimrevska në profilin e saj në Facebook, ka publikuar fotografi të bashkëshortit, që janë bërë në njërën ndër foto-studiot më të njohura në Beograd.
Madje, një pjesë e gazetarëve kanë arritur që ta gjejnë vendin e Daravelskit në Beograd, edhe pse askush nuk ka arritur që të kontaktojë me të drejtpërdrejtë. Ai, sipas informacioneve të mediumeve të Maqedonisë, ka jetuar në rrugën “Krunska”, por vetëm disa metra larg tre ambasadave dhe selisë së Partisë Demokratike. Në emër të tij ka qenë edhe një banesë në rrugën “Kral Millan”, e cila ndodhët përballë rezidencës presidenciale të Nikoliqit, ku është presupozuar se ai e ka ndërmarrjen e tij.