Maqedoni

Gjoba deri në 4 mijë euro për lokalet që i japin alkool të miturve

Drejtori i Inspektoratit Shtetëror të Tregut, Goran Trajkovski, sot informoi se gjatë fundjavës së kaluar, inspektorati i tregut, në koordinim me MPB-në, ka kryer kontrolle aksionare në objektet hotelierike ku organizohen ahengje për të mitur në të cilat u konstatua se të miturve u servirej dhe shitej alkool.

GORAN TRAJKOVSKI, DREJTORI I INSPEKTORATIT SHTETËROR TË TREGUT

“Dëshiroj të theksoj se shërbimi i alkoolit për të miturit është krim dhe gjobat për ata që kapen duke u shërbyer alkool të miturve janë rigoroze dhe shkojnë deri në 4000 euro. Krahas gjobave shqiptohen gjoba për ndalim të punës në kohëzgjatje prej një muaji, ndërsa për përsëritjen e veprës penale mund të pasojë edhe ndalim i plotë i punës”.

Trajkovski bëri apel që ky fenomen të ndalet menjëherë. Ai tha që apelin ua drejton hotelierëve, por edhe prindërve. Kreu i ISHT-së theksoi se bashkë me kolegët e tij nga inspektorati, por edhe me institucionet tjera kompetente do të vazhdojnë të realizojnë veprime intensive të përbashkëta për të parandaluar zhvillime të tilla. “Kushdo që e shkel ligjin nuk do të kursehet nga shqiptimi i sanksionit përkatës, tha  Trajkovski.