June 21, 2024
Sport

Gjashtë vjet pa legjendën e futbollit / Gazetari Reshat Ibraimi: Fadil Vokrri ishte më shumë se kapiten

Gjashtë vjet pa legjendën e futbollit / Gazetari Reshat Ibraimi: Fadil Vokrri ishte më shumë se kapiten

Shkruan: Reshat Ibraimi
(Shkrimi i botuar në librin “Fadl Vokrri legjenda që nuk shuhet kurrë”, autor Bekim Aliu

Legjendën e futbollit kosovar, Fadil Vokrri, fillimisht kam pasur rastin ta ndjek si futbollist kur me KF Prishtina garonin me shumë sukses në ligën e dikurshme federative, në vitet e 80-ta.

Unë, për fat të mirë timin, në ato vite isha student në Universitetitin e Prishtinës dhe KF Prishtina e kam ndjekur në cdo ndeshje kur luante në stadiumin e qytetit në Prishtinë.

Por jo vetëm kaq, pasi si një pasionant i futbollit nuk kam lënë pa e ndjekur edhe cdo stërvitje të Prishtinës.

Aq e kam dashur Prishtinën sa që i fundit dilja nga stadiumi, bile i pritja lojtarët deri sa hipnin nëpër makinat e tyre. Vokrri më kujtohet si sot ka pasur një Golf 1 me ngjyrë të verdhë. Si futbollist ishte i shkëlqyeshëm, formacioni i Prishtinës nuk ka mundur të mendohet pa Fadil Vokrrin. Thjeshtë ka qenë më shumë se kapiten i ekipit.

Pas disa vitesh, ai u largua nga Prishtina drejt Partizanit të Beogradit, dhe unë nuk besoja se Fadili më nuk do të shënoj gola për Prishtinën Më kujtohet një titull i gazetës sportive të Beogradit, “Sport”: Vokrri: Përfundimisht largohem nga Prishtina”. U pata mërzitur shumë, sepse kisha bindjen se Prishtina pa fadil Vokrrin nuk mund të qëndrojë në elitën e futbollit Jugosllav (më vonë ashtu edhe ndodhi).

Fadili me golat dhe paraqitjet e tij shkëlqeu te Partizani, duke u bërë pjesë e reprezentacionit ish jugosllav. Edhe aty shkëlqeu me gola.

Fadil Vokrri ishte krenaria e shqiptarëve në ish jugosllavi. Na ka sjell shumë gëzime në jetë. Për mua mbetet futbollisti më i mirë i të gjitha kohërave në Kosovë.

Më vonë (nga viti 2005 e kendej), profesioni i gazetarisë më mundësoi që ta njoh më afër, bile edhe disa herë ta intervistojë kur ai u emërua si president i FFK-së. Kontaktet e shpeshta na bënë që të kemi një miqësi të mirë. Ishte komunakativ dhe modest.

Ka sakrifikuar shumë në jetë që Federata e futbollit e Kosovës të pranohet në UEFA dhe FIFA. Ka dhënë shumë mund dhe djersë. Ka shfrytëzuar autoritetin e tij për Kosovën. Ishte emër i madh i futbollit. Ikonë e futbollit të Kosovës. Vdekja e tij është humbje e madhe për Kosovën. Më vjen keq që nuk pati rastin të shoh dhe të kënaqet duke parë reprezentacinin e Kosovës se si po përparon, por shpresoj se futbollistët kosovarë do t’ia çojnë amanetin e tij në vend-Kosova në kampionatin europian të futbollit.