Gir: Përdorimi i yllit të BE-së në ligjet për Korridoret 8 dhe 10D, është i papranueshëm
Vendosja e flamurit të BE-së çdo ligji që pushteti konsideron se mund të has në obstruksione në kuvend, rrezikon seriozisht këtë mekanizëm që shërben për harmonizimin e ligjeve të vendit me ato të Bashkimit Evropian. Tash disa ditë, ambasadori i BE-së në vend David Geer ka kritikuar ashpër vendosjen e yllit evropian te ligjet për korridoret 8 dhe 10-D, pasi siç tha sot ai, këto pesë ligje s’kanë të bëjnë fare me përshtatjen me standardet evropiane.
“Unë e kam ngritur problematikën me flamurin evropian sepse kjo çështje është diçka që ne e kemi ngritur disa herë, sidomos përmes raporteve vjetore, duke thënë se shfrytëzimi i flamurit evropian duhet të bëhet me masë dhe të sigurohet që është bë me konsultime paraprake, si dhe të shfrytëzohet vetëm në rastet që kanë të bëjnë me harmonizimin e ligjeve dhe praktikave të BE-së, dhe siç kam thënë, ky nuk është rasti tani”, deklaroi David Geer, ambasadori i BE-së në Maqedoninë e Veriut.
Për të thelluar skandalin, zëvendës kryeministri për Çështje Evropiane Bojan Mariçiq dje pranoi se këto ligje s’janë në përputhje me rregullat me të cilat mund të përdoret ylli i BE-së, por tha se kjo bëhet për vendim “politikisht të arsyetuar”.
Ndryshe e “arsyeton” keqpërdorimin e flamurit të BE-së kryeministri Dimitar Kovaçevski, ai tha se bëhet fjalë për ndërtime të cilat do ta afronin vendin drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian.
“Fillimisht ambasadori Geer ka pasur deklaratë të tij në të cilën e tha qëndrimin e delegacionit të BE-së, unë ju thashë se bëhet fjalë për ligje të cilat sigurojnë ndërtimin e korridoreve të cilat deri tani nuk i kemi pasur dhe të cilat do të jenë pjesë e korridoreve pan evropiane, për herë të parë, pasi korridori 8 nuk ka qenë pjesë e korridoreve evropiane dhe me sigurimin e marrëveshjes ligjore të cilat mundësojnë ndërtim më të shpejtë, më efikase, më efektive dhe më të lirë të këtij projekti”, tha Dimitar Kovaçevski, kryeministër.
ALSAT pyeti ambasadorin Geer në qoftë se BE-ja ka mekanizma që mund të stopojë keqpërdorimit e yllit të BE-së për miratimin e ligjeve, ai megjithatë nuk u përgjigj në këtë pjesë. Nga ana tjetër Hristijan Mickovski nga VMRO-ja tha se do të dërgojë letër gjithë institucioneve më të rëndësishme të Bashkimit Evropian pasi sipas tij, “heshtja” e BE-së ngre dyshime se mund të bëhet fjalë për diçka tjetër.
Në dy raportet e fundit të Komisionit Evropian për vendin përmendet nevoja e përdorimit të këtij mekanizmi ekskluzivisht dhe vetëm për ligjet që kanë të bëjnë me BE-në. Në dhjetë vitet e fundit rreth 250 ligje janë miratuar me yll të Bashkimit Evropian, procedurë kjo që shkurton debatin në kuvend në vetëm dy ditë. /Alsat.mk