Kosovë

Gërvalla nuk zmbrapset, sërish e quan BE-në “Tigër prej letre”

Ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla, ka dalë me një deklaratë pas reagimeve që janë bërë ndaj saj, pasi ka thënë se BE-ja është një në aspektin e sigurisë, pa ShBA-në dhe NATO-n, është një “Paper Tiger” (Tigër Letre).

Ajo, me anë të një postimi në rrjetin social Facebook, ka deklaruar se akoma e mendon këtë gjë, dhe i ka ftuar të gjithë ata që e kanë kundërshtuar që nëse kanë fakte ta dëshmojnë të kundërtën.

“‘Një pyetje kyçe për sigurinë në Ballkanin Perëndimor është: A është BE-ja ajo që mund të garantojë sigurinë dhe paqen në Evropë? Unë mendoj që ajo nuk është në gjendje dhe nuk ka kapacitet për ta garantuar sigurinë. Arsyet janë të qarta: mungon vullneti politik, mospajtimet brenda Bashkimit Evropian janë të mëdha dhe sa i përket sigurisë, pa SHBA-në dhe NATO-n, BE-ja është një tigër prej letre. BE-ja e di këtë dhe prandaj vazhdimisht lëshon pe, i ikën konfrontimit’”.

“I sfidoj publikisht “specialistët”, që para se të mësyjnë me sulme personale dhe etiketime nga më absurdet, të na tregojnë saktë se cila nga shkronjat e citatit të mësipërm është e pasaktë apo e pavërtetë. Unë jam zëvendëskryeministre dhe ministre e Republikës së Kosovës, nuk jam zëdhënëse as e BE-së dhe as një mekanizmi tjetër. Si çdo politikan i përgjegjshëm, me fanatizëm dhe zë të lartë mbroj të vërtetën dhe interesin e vendit tim, dhe vetëm të vendit tim, kudo që më krijohet mundësia të flas, ashtu si edhe të tjerët mbrojnë interesin e vendeve apo organizatave që përfaqësojnë”, ka shkruar Gërvalla.

Gërvalla ka theksuar se një prej fatkeqësive të Kosovës është gjendja e mjerueshme e partive opozitare dhe përfaqësuesve të tyre.

” Si gjatë qeverisjes edhe tani në opozitë janë pa plan, pa strategji, pa vizion, pa dinjitet. Opozitë që përveç sulmeve personale, të bazuara në thashetheme dhe tituj bombastik dhe të pasaktë, asgjë nuk ofron”.

“E sa për PDK-në, e cila tenton të na frikësojë që, nëse ajo vjen në pushtet, ne nuk paskemi më vend në Kosovë, mundem vetëm t’iu përkujtoj që nuk janë të parët që nuk dëshirojnë të më shohin as fizikisht në vendin tim. I kam pasur vetëm 8 vjet kur më kanë përzënë për herë të parë nga vendi im. Por ata që për 19 vjet me radhë (1980-1999) më privuan nga e drejta për t’u kthyer në vendin tim, madje as edhe sa për të kthyer eshtrat e babait në tokën e tij, janë ata që nuk kanë më vend në Kosovën e lirë.

“E për LDK-në, nuk po flas sonte. Po flasin kaq shumë vet, po vajtojnë, shajnë, mallkojnë e gënjejnë, saqë çdo fjalë nga ime do të ishte e tepërt”./Klankosova.tv.