May 11, 2024
Kosovë

Gazetarja nga Kosova shpërthen në lot nga dhimbja për zhvillimet e fundit në Veri (Video)

Alba Alishani, një gazetare shqiptare me prejardhje kosovare, e cila për shkak edhe të historisë së saj personale ka një njohje të thelluar të situatës në Kosovë, ka qenë e ftuar në emisionin “Top Story” për të folur për tensionet në veri të vendit nga një këndvështrim ndryshe.
Sipas Alishanit, një moment i tillë duhej të ndodhte një ditë, pasi ishte e nevojshme arritja në një pikë kulmore për t’i dhënë fund njëherë e mirë stanjacionit.
Pjesë nga diskutimi:
Duma: A ka sens që ne përjetojmë sërish një konflikt Kosovë-Serbi në 2023-shin? A e prisje ti vetë, ti që ke parë tmerrin e luftës… Pasi ke parë genocidin, pasi e ke vuajtur vetë personalisht dhe familjarisht gjithçka, çfarë është për ty sot ky moment?
Alishani: Jam këtu në rrethana aspak të volitshme për Kosovën time. E prisja këtë moment si ky, ndoshta shumë më herët, ndoshta shumë më vonë por një ditë do të ndodhte.
Duhet të ketë një pikë kulmore që ky situacion të marrë fund njëherë e mirë. Destini i Kosovës duhet të jetë i mirëpërcaktuar them unë.
Duma: Do të jetë ky fundi, do të ndahen këtu gjërat…
Alishani: Unë besoj se është shumë përcaktuese për mirëpërcaktimin e fatit ajo që do të bëjë qeveria e Kosovës dhe Albin Kurti.
Duma: Ky është një moment kulminant siç e senson ti me të gjithë shqisat e tua njerëzore dhe…
Alishani: Besoj se pas zvarritjes dhe ujit të ndenjur në Kosovë, duhej një pikë kulmore. Kurba duhet të shkojë deri diku që Kosova të stabilizohet.
Kosova ka qenë në stanjasion dhe unë nuk do të doja që ngjarje si këto të ishin vazhdimësi e stanjacionit. As kthim mbrapa, që do të ishte një alternativë akoma më e keqe. Ta shfrytëzojmë si një shans për progres. E di që tingëllon shumë optimiste dhe e vështirë, por duhet bërë.
Duma: Optimiste jo… nuk tingëllon e tillë, jo në veshët e mi së paku. Më shumë tingëllon historike, ka një peshë kjo që thua ti gati më shumë sesa ajo që ndihet normalisht. Këtu ndahet e mira nga e keqja.
Alishani: Ndoshta shumë ndryshe nga ata që po zihen atje në Parlamentin e Kosovës, me pa të drejtë po them unë, ashtu edhe si analiza politike në Kosovë e impaktuar nga lëvizje subjektive, emocionale, folklorike në kohë të vështira si këto, unë kam luksin ta shoh pak më larg dhe tentoj ta bëj më objektivisht. Ndaj mendoj kësisoj.
Top Channel