Gaza: Gjashtë foshnja vdesin në spital pas ndërprerjes së rrymës elektrike
“Numri i vdekjeve nga ndërprerja e energjisë elektrike në Spitalin Al-Shifa në qytetin e Gazës është rritur në 20, me gjashtë foshnja të lindura para kohe në mesin e të vdekurve”, tha drejtori i spitalit të hënën.
“Gjashtë foshnja të lindura para kohe dhe nëntë persona të lënduar në njësinë e kujdesit intensiv të spitalit vdiqën sot si pasojë e ndërprerjejes së energjisë elektrike”, tha Mohamed Abu Slima.
Ai tha se të dielën shtatë pacientë të kujdesit intensiv humbën jetën në objektin më të madh mjekësor në Gaza.
“Të gjithë vdiqën si rezultat i refuzimit të Izraelit për të lejuar dërgimin e karburantit në spital. Ka ende 33 foshnja të lindura para kohe në spital,” tha ai.
Kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu tha të dielën se qeveria e tij kishte ofruar karburant për spitalin, por dorëzimi u bllokua nga Hamasi.
Spitali Al-Shifa dhe rrethinat e tij, si dhe spitalet e tjera në Rripin e Gazës, janë vënë në shënjestër të vazhdueshme nga ushtria izraelite ditët e fundit.
Izraeli ka nisur sulme të pamëshirshme ajrore dhe tokësore në Rripin e Gazës që nga një sulm ndërkufitar nga grupi i rezistencës palestineze Hamas më 7 tetor.
Që nga fillimi i konfliktit, të paktën 11.180 palestinezë janë vrarë, duke përfshirë 8.000 fëmijë dhe gra. Sipas të dhënave zyrtare, numri i të vdekurve në Izrael është pothuajse 1.200.