Gashi: Taravari, kandidati i vetëm që përfaqëson shqiptarët
Kryetari i Alternativës Afrim Gashi, në tubimin qendror të koalicionit VLEN në Sheshin Skenderbeu në Shkup, bëri thirrje që çdo votë më 24 prill të bëhet VLEN. Ai tha se kandidati i VLEN-it për president, Arben Taravari, është kandidati i vetëm që përfaqëson shqiptarët në këto zgjedhje presidenciale.
“Atëherë kur të tjerët thoshin se nuk është koha për president shqiptar, ne, ashtu siç premtuam, e kandiduam Dr. Arbenin i cili është kandidati i vetëm që i përfaqëson shqiptarët, që ka dalë nga një koalicion shqiptar, që mbështetet nga mërgata shqiptare dhe nga kryeministri Albin Kurti”, tha Gashi.
Kreu i Alternativës tha se opozita e bëri hapin e madh duke u bashkuar në VLEN, ndërsa VLEN-it iu bashkua edhe populli.
“Të gjithë e dimë se Zoti thotë në Kuran se “Ai nuk e ndryshon gjendjen e një populli derisa ata ta ndryshojnë veten e tyre.” Kjo do të thotë se kur ne, drejtuesit e këtij koalicioni, e ndryshuam veten tonë, pra i tejkaluam egot dhe hatërmbetjet tona e ia zgjatëm dorën njëri-tjetrit si vëllezër, atëherë me ne u bashkua edhe populli. E kur bashkohet populli, jam thellë i bindur se aty nuk mungon as dora e Zotit. Kur ne sakrifikojmë e dëshmojmë vetëmohim, atëherë mëshira e Perëndisë vjen si shpërblim”, tha Gashi.(INA)