Maqedoni

Gashi takohet me ambasadorin italian në Shkup

Idenë për propozim-amendamentin e Alternativës kryetari i Alternativës, Afrim Gashi, sot ka shpalosur edhe me Ambasadorin e Republikës së Italisë në Shkup, Sh.T. Andrea Silvestri.
“Bashkë me nënkryetaren e Alternativës, znj. Safije Sadiki – Shaini, sot qëndruam në Ambasadën e Italisë në Shkup, ku na priti Ambasadori Italian, z. Silvestri, ndërsa kjo ishte një mundësi që me të të bisedojmë për aktualitetin politik, duke e veçuar mundësinë e hapjes së kushtetutës dhe propozimin e Alternativës që lufta kundër korrupsionit të sanksionohet me nen të veçantë, ashtu që lëndët e tilla të mos mund të vjetrohen asnjëherë.
Ambasadori Silvestri e mirëpriti idenë tonë dhe na uroi sukses, duke potencuar se lufta kundër korrupsionit politik është kryefjala e vlerave të Bashkimit Europian”, deklaroi Gashi.
Me këtë rast, Gashi ka theksuar se Maqedonia e Veriut, si vend që është në prag të hapjes së negociatave për aderim në BE, me këtë ndryshim kushtetues do të dëshmonte jo vetëm gatishmëri për të qenë anëtare e përkushtuar e BE-së, por edhe një shtet që seriozisht dhe rrënjësisht i ka shpallur luftë këtij vesi shoqëror.