Gashi: shqiptarët nuk do t’ia falin Ali Ahmetit për rikthimin e Gruevskit
Kryetari i Alternativës, Afrim Gashi në emisionin “Aktualitet” në Radio Shkupin ka thënë se Maqedonia e Veriut ka marrë një prej raporteve më të këqija që kur ka filluar vlerësimi i vendit, përcjell Nistori.
Sipas Gashit, hapësira për ndryshime kushtetuese është ngushtuar, ndërsa tentativa e Ali Ahmetit dhe LSDM-së për të sjellë Nikolla Gruevskin nuk është për të bërë ndryshimet kushtetuese, por për ta dobësuar VMRO-DPMNE-në.
“Është evidente se nuk ka hapësirë për ndryshime kushtetuese, sepse zgjedhjet presidenciale i kemi në prag, gjasat teorike janë, por mungon vullneti politik edhe pse seanca për ndryshime kushtetuese është ende e hapur. Tentativa e Ali Ahmetit edhe LSDM-së për ta sjellë Gruevskin nuk është për ndryshime kushtetuese, por për ta dobësuar VMRO-në dhe për t’i fituar zgjedhjet LSDM dhe BDI dhe kjo është shume vepër e keqe dhe këtë nuk ua falin shqiptarët”, ka deklaruar kryetari i AAA-së, Afrim Gashi.
Ai tha se tani më nuk po flitet për ndryshime kushtetuese, por se bisedohet se si do shkohet në zgjedhje, a do mbahen veçmas ato parlamentare dhe presidenciale. /Nistori/