Gashi: Edhe pas 20 viteve shteti i Maqedonisë së Veriut nuk gjeti forcë për t’i kërkuar falje Lubotenit
Kryetari i partisë Alternativa, Afrim Gashi ka reaguar në lidhje me 20 vjetorin e masakrës së Lubotenit. Ai shkruan se as edhe pas 20 viteve shteti i Maqedonisë së Veriut nuk gjeti fuqi për t’i kërkuar falje Lubotenit dhe për t’i dëmshpërblyer viktimat e kësaj masakre.
“Sot bëhen 20 vjet qëkur forcat ushtarake-policore maqedonase i vranë 10 civilë të pambrojtur të f. Luboten të Shkupit, i plagosën dhjetëra të tjerë, i arrestuan më shumë se 100 fshatarë dhe i dogjën dhjetëra shtëpi.
Duke i kujtuar viktimat, nuk mund të mos theksojmë se as pas 20 vjetëve shteti i Maqedonisë së Veriut nuk gjeti fuqi për t’i kërkuar falje Lubotenit dhe për të dëmshpërblyer viktimat e kësaj masakre. Madje, përkundër kësaj, institucionet e shtetit, që nga Presidenca e deri te Qeveria, akoma sillen si të shurdhëra ndaj faktit se më 12 gusht në fshatin Luboten ndodhi një masakër shtetërore ndaj civilëve të pambrojtur dhe të pafajshëm të Lubotenit.
Pavarësisht kësaj, që nga Erxhan Aliu 5-vjeçar e deri te Memet Memeti 70-vjeçar, të gjitha viktimat do të mbeten gjithmonë në kujtesën tonë si çmimi me të cilin dikush e tregtoi arritjen e Marrëveshjes së Ohrit. Lavdi për dëshmorët. Zoti i pastë mëshiruar dhe qoftë i përjetshëm kujtimi për ta”, ka shkruar Gashi.