April 30, 2024
Maqedoni

Gashi: BDI kur nuk do të jetë në pushtet nuk do të ekzistojë

Kryetari i partisë Alternativa, Afrim Gashi, në emisionin “Brifingu i mëngjesit”, ka deklaruar se BDI është si pandemia, se do të largohet, ndërsa për këtë gjë edhe ata janë të vetëdijshëm.

“Pas 20 vitesh në pushtet edhe ata e dinë që janë në perëndimin e tyre. Është çështje kohë kur do të ndodhë kjo. Kur nuk do të jenë në qeveri nuk do të ekzistojnë. Këtë e them me keqardhje, sepse nuk është mirë as për partinë, as për shtetin, e as për shqiptarët, sepse çdo 10 vite krijojmë parti të reja”, ka thënë Gashi.

Në lidhje me zgjedhjet lokale, ai ka thënë se disa muaj po e ndërtojnë strategjinë si të dalin në zgjedhjet.

“Në mënyrë konsenzuale jemi të bashkuar rreth idesë të shkojmë së bashku me Aleancën, megjithatë kësaj radhe kjo do të varet nga qëndrimi i tyre se si të arrihet marrëveshje. Shpresoj dhe jam optimist se do arrijmë këtë marrëveshje. Në këtë veprim të përbashkët politik si koalicion nuk do të ishte e lejuar as për ne as për ata të mos shkojmë së bashku”, ka thënë Gashi.