Ganiu: Sheshi Skënderbeu në Shkup do të jetë më i madh se Sheshi Skënderbeu në Tiranë
Qeveria në mbledhjen e sotme mori vendim për ndarjen e 20 milionë eurove për financimin e projektit për sheshin “Skenderbeu”. Bëhet fjalë për ndërtimin e parkimit nëntokësor që siç tha zv.kryeministri i parë Izet Mexhiti, do ta zgjidhë problemin shumëvjeçar me mungesën e vendparkimeve në këtë rajon. Punimet pritet të fillojnë në vitin 2025, ndërsa parashihen 371 vende për parkim në dy nivele nëntokësore. Të gjitha fazat e projektit do të zhvillohen në mënyrë transparente, theksoi Mexhiti.
Lajmin me gëzim e ka komentuar edhe kreu i komunës së Çairit, Visar Ganiu, transmeton Lideri.mk. Gjatë aktiviteteve për shënimin e festave të nëntorit, që sot u mbajtën në këtë shesh, Vaniu tha se me përfundimin e këtij projekti, Sheshi Skënderbeu në Shkup do të jetë më i madh se Sheshi Skënderbeu në Tiranë.
“Qeveria arriti ta kalojë edhe fazën e tretë, apo investimin në parkingun nëntokësor në këtë shesh, ashtu që ky shesh pranë mozaikut, pranë Skënderbeut do të jetë edhe më i madh dhe mund lirisht të lavdërohemi se në të ardhmen, në metra katror do ta ketë sheshin më të madh edhe se Tirana”, tha Visar Ganiu, Kryetar i Komunës së Çairit.