April 30, 2024
Kosovë

Ganimete Musliu sërish kritikon Albin Kurtin, po i ndëshkon komunat ku nuk udhëheq LVV-ja

Deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës, Ganimete Musliu e ka cilësuar Qeverinë Kurti hakmarrëse dhe inatçore, e cila po i penalizon në shpërndarje të buxhetit komunat që nuk udhëhiqen nga Lëvizja Vetëvendosje.

Musliu, në seancën e Kuvendit të Kosovës ku po diskutohet për projektbuxhetin për vitin 2024 ka theksuar se në katër komuna ku qeverisë Vetëvendosja është ndarë dukshëm ma shumë ose miliona buxhet me shumë se në komunat ku qeverisin partitë tjera.

“Për komunën e Kamenicës e cila qeveriset nga Vetëvendosja, qeveria ka ndarë 2 100 000 euro. Për Komunën e Shtimes ku qeveris ’’çlirimtari’’ i Vetëvendosjes janë ndarë buxhet 2 333 333 euro. Për komunën e Gjilanit që qeveriset nga Vetëvendosja janë ndarë buxhet 6 800 000. Për komunën e Podujevës që po ashtu qeveriset nga Vetëvendosja janë ndarë buxhet 1 875 000 euro.

Pra në të gjitha komunat e lartëcekura qe qeverisen nga Vetëvendosja është buxhet milionësh dhe unë personalisht nuk kam asgjë kunder dhe e përshendes ndarjen e këtij buxheti për të cilin qytetaret kanë nevojë. Mirëpo, këtë ndarje buxhetore e shëmton inati dhe hakmarrja e Albin Kurtit ndaj qytetarëve të atyre komunave që nuk ja besuan pushtetin Vetëvendosjes të cilat janë diskriminuar e po diskriminohen nga Albin Kurti me këtë buxhet. Në komunen e Vushtrrisë ku qeverise Partia Demokratike e Kosovës janë ndarë vetem 650 000 euro. Në komunen e Prizrenit ku qeverise Partia Demokratike e Kosovës janë ndarë vetem 900 000 euro. Dhe krahasone numrin e popullsisë se Prizrenit me atë të Shtimes apo të Kamenicës. Në komunen e Suharekës ku qeverise Aleanca për Ardhmerinë e kosovës janë ndarë vetem 100 000 euro. Në komunen e Drenasit ku qeverise Partia Demokratike e Kosovës janë ndarë vetem 185 000 euro. Në komunen e Lipianit ku qeverise Lidhja Demokratike e Kosovës janë ndarë vetem 400 000 pra asnjëra nga këto komuna nuk e prek shifrën një milionëshe prandaj kjo e bënë të shëmtuar e diskriminues ndarjen buxhetore për vitin 2024”, tha Musliu.

Ajo theksoi se duke e ditur që amandamentet e opozitës nuk kalojnë vetëm pse ata i propozojnë, ka kërkuar nga kryetari komisionit parlamentar për buxhet Armend Muja të propozojë një amandament për ndarjen e buxhetit për ndërtimin e objektit të ri shkollor për shkollën “Abdullah Shabani” në Mitrovicë.

“Arsyeja e këtij propozimi mbështetës në dëshmi faktike, duke pasë parasysh gjendjen në të cilën është kjo shkollë e cila është shumë e vjetër dhe daton nga viti 1943. Kjo shkollë ka pësuar edhe dëmtime të rënda gjatë luftës se fundit në Kosovë dhe ka problem të infrastrukturore. Mësimdhënësit në këtë shkollë hasin në shumë vështirësi në realizimin e planprogramit për arsye objektive ,që kjo shkollë nuk i plotëson kushtet për zhvillimin e metodologjive sipas kërkesave të arsimimit të mirëfilltë. Bodrumet e kësaj shkolle ku janë të sistemuar klasat e parafillorëve që shënon edhe hapin e parë drejt nxënies së dijes për parafilloristët mbanë erë myku e lagështie dhe përveç pasoja shëndetësore tek fëmijët është edhe mjaft demotivues si ambient. Oborri i shkollës i demoluar shumë i papërshtatshëm sidomos në kushtet atmosferike në stinën e vjeshtës dhe dimrit. Kjo shkollë përballet me mungesë të hapësirave rekreative për nxënësit ku gjatë stinëve të ftohta është e pamundur të zhvillohen aktivitete sportive.

Ndërtimi i kësaj shkolle është urgjencë para se të ndodhë ndonjë tragjedi“, u shpreh Musliu.