Kosovë

Ganimete Musliu kërkon dorëheqjen e Mimoza Kusarit

Deputetja e PDK-së, Ganimete Musliu e ka quajtur “seksere” kryetaren e grupit parlamentar të LVV-së, Mimoza Kusari.

Musliu tha se Kusari do të duhej të jepte dorëheqje, pasi në një përgjim të publikuar sot ajo u dëgjua teksa fliste me nënkryetarin e Listës Serbe, Slavko Simiq për Milan Radoiçiqin, i kërkuar nga organet e rendit në Kosovë dhe në listë të zezë të SHBA-së.

“Me qenë në vend të Mimoza Kusarit, kisha dhënë dorëheqje”, tha Musliu, e cila beson se Kusari ka biseduar me Simiqin “me direktiva të Albin Kurtit dhe Dejona Mihalit”.

Ajo tha se për të “nuk është çudi” përgjimi. “E di që kanë folë gjithë”, tha Musliu nëT7.

Deputetja e PDK-së tha se përgjimi shfaqi “anën më të errët të një shefe të grupit parlamentar”. Me dorëheqje, sipas Musliut, Kusari “i bën nder edhe vetes, edhe familjes së saj, por edhe Lëvizjes Vetëvendosje”.