Gafa e radhës e Biden: Putin po e humb luftën në Irak
Joe Biden ka bërë gafën e radhës. “Vladimir Putin po e humbet luftën në Irak” është shprehur ai së fundmi.
Teksa fliste për rebelimin e grupit mercenar Wagner në Rusi gjatë fundjavës, presidenti amerikan tha se ai kishte dobësuar “absolutisht” Putinin.
I pyetur se deri në çfarë mase Putini u dobësua nga rebelimi, Biden tha: “Është e vështirë të thuhet, por ai po e humbet qartë luftën në Irak, po e humb luftën në shtëpi dhe është bërë paksa i pafuqishëm në mbarë botën. ”
Kjo nuk është hera e parë që shefi i Shtëpisë së Bardhë bën gabime të tilla. Në nëntor, ai ngatërroi luftën amerikane në Irak me pushtimin rus ndërsa diskutonte për Ukrainën.
Ai tha në një mbledhje në Florida: “Inflacioni është një problem mbarëbotëror tani për shkak të një lufte në Irak dhe ndikimit tek nafta nga ajo që po bën Rusia”, përpara se të ndërhynte: “Më falni, lufta në Ukrainë”.
Kujtojmë se Administrata e Biden është treguar e kujdesshme në mënyrën sesi i ka interpretuar ato që po ndodhin në Rusi, ku forcat e grupit Wagner, një nga pjesët më të afta të ushtrisë ruse në Ukrainë, u rebeluan dhe kërcënuan të sulmonin Moskën, përpara se të ndryshonin mendjen.