“Funksionarët vijnë para zgjedhjeve, premtimet mbeten vetëm premtime” – pensionistët kërkojnë rritje lineare të pensioneve
Gjatë tërë jetës së tij ka punuar gjithsej 41 vjet, ndërsa tani merr pension vetëm 21 mijë denarë. Abdylrizak Rustemi thotë se ky pension nuk i mjafton, ndërsa thotë se shokët e tij janë edhe në gjendje më të keqe. Sipas tij ka pensione edhe prej 13 mijë denarësh.
“Ne si pensionistë dolëm në protesta dhe kërkuam më tepër pensione, por nuk mori askush. Çdo ditë që futesh në market gjërat janë gjithnjë e më të shtrenjta, nuk dëgjuam një herë të ulen çmimet. Gjithnjë kemi kërkuar rritje. Shkuam edhe në Shkup para ministrisë, madje me autobusë, dhe asnjeri nuk doli as të na pyes se çka kërkojmë, për çka kemi nevojë. Folën ca persona dhe erdhëm, aq. Nën 30.000 s’mundesh, kot, nuk ia del muajit, unë marr 20.000 po s’mund t`ia dal, 13.000 rryma më ka ardhur çka të bëj”, tha Rustemi.
Në qendrën e pensionistëve në Tetovë sot ishte ministri teknik i punës edhe politikës sociale. Ai tha se sot i ka dëgjuar kërkesat, ndërsa pas 8 majit do t’i analizojë.
“Këto ankesa që i dëgjuam këto dy muaj fillimisht do t’i analizojmë dhe pas tetë majit menjëherë do futën në punë për realizimin e këtyre kërkesave”, u shpreh Gjoko Vellkovski, Ministria e Punës dhe Politikës Sociale.
Kryetar i Shoqatës së Pensionistëve të Tetovës tha se para zgjedhjeve, politikanët japin premtime, por më pas i harrojnë ato.
“Pa ndryshimin e ligjit për pensionet nuk mund të vjen assesi deri tek plotësimi i kërkesave tona siç është rritja lineare e pensioneve sepse Ligji parasheh vetëm rritje në përqindje. Mendoj se do ketë ndryshime pozitive, por të shohim. Kur ka zgjedhje vijnë funksionarët, ka pasur edhe para dhe premtojnë, por premtimet ngelin premtime”, tha Selver Memeti, Shoqata e Pensionistëve – Tetovë.
Pensionistët tetovar kanë pensione të ulëta, sepse shumica e tyre kanë punuar në fabrika të tekstilit.