Frosina Trajkovska dhe Sofija Aleksiq punësohen si shqiptare në shkollën e mesme në Kumanovë
Shkolla e mesme profesionale bujqësore “Kiro Burnaz” në Kumanovë së fundi ka shpallur një konkurs për pranimin e stafit administrues, ku në dy vende të hapura të deklaruara për punësimin e shqiptarëve ka punësuar kandidatë maqedonas dhe serb.
Në vendin e punës të sekretarit të shkollës-këshilltar për punë të përgjithshme normative figuron që duhet të punësohet shqiptar, ndërsa është pranuar kandidatja Sofija Aleksiq.
Po ashtu edhe në vendin e punës Sekretar teknik që kryen punët e arkatarit dhe punë të ngjajshme e shpallur me kodin për shqiptar është pranuar kandidatja Frosina Trajkovska.
Konkurset dhe vendimet e shpallura për pranimin e tyre kanë nënshkrimin e drejtoreshës së kësaj shkolle.
Po ashtu edhe vendi i tretë i punësimit për referent dhe sekretar teknik të hapur për siç shkruhet “nacionalitete tjera” është pranuar Ivana Stojanovska. Shkolla e mesme profesionale “Kiro Burnaz” është nën kompetencat e komunës së Kumanovës.
Këto konkurse tregojnë se po vazhdon të keqpërdoret balancuesi dhe përfaqësimi adekuat i shqiptarëve dhe komuniteteve tjera në administratën shtetërore. Përmes një deklarate të noterizuar, kandidatët lehtësisht duke u deklaruar si shqiptar sigurojnë vendin e punës. (INA)