Fronti opozitar: Rruga industriale e Vizbegut është shndërruar në “Las Vegas”
Fronti opozitar ka vazhduar edhe sot akuzat ndaj partisë në pushtet, Bashkimit Demokratik për Integrim, e në veçanti ndaj zv/kryeministrit, Artan Grubi. Visar Ganiu, nga Lëvizja Demokratike, i cili foli në emër të frontit, press-konferencën për media e kanë mbajtur tek zona industriale në Vizbeg, tha se kjo zonë është shndërruar në “Las Vegas”, ndërsa fajtor për të gjithë këtë, Ganiu thotë se është Artan Grubi dhe BDI.
VISAR GANIU, LËVIZJA DEMOKRATIKE
“Nëse deri dje kishte dilema se pse kërkesat e bizneseve shqiptare të kësaj zone, shpërfillen totalishtë nga BDI dhe nga funksionarët e saj, tani më gjithçka po bëhet e qartë. Ata paskan pas në kokë një planë tjetër për këtë zonë, ta bëjnë qendër të bixhozit. Këtë zonë që biznismenët e ndershëm shqiptarë, esnafët me shumë mundë e ndërtuan, me dekada të tëra, Artan Grubi dhe BDI, brenda natës kanë vendosur të shëndrojnë në zonë të kazinove, kredive të shpejta, hoteleve dhe moteleve. Kjo zonë që deri tash është ndëgjuar vetëm për lajme pozitive, storje të sukseshme, Aran Grubi ka vendosur të bëjë zonë të problemeve, vrasjeve, e punëve të flliqura, sepse kazinot kështu pasoja na sjellin”.
E për t’i ndaluar këto fenomene, siç thotë Ganiu, degjeneruese për popullin, ai kërkon ndihmën e qytetarëve, ndërsa ai shtoi se qytetarët tani më janë të vetëdijshëm dhe do ta dënojnë BDI-në.
Përndryshe, përderisa opozita dhe pozita akuzojnë njëra-tjetrën për hapjen e lojërave të fatit, Maqedonia e Veriut, ka mbetur pothuajse e vetme në rajon, që ende funksiojnë, pasi që shumica e vendeve të rajonit, i kanë mbyllur të gjitha.