Fronti opozitar pritet ta zyrtarizoj bashkëpunimin për zgjedhjet
Javën që vjen organet partiake të partive që përbëjnë frontin opozitar pritet të sjellin vendime për të zyrtarizuar bashkëpunimin e tyre në zgjedhjet e ardhshme parlamentare dhe presidenciale. Lëvizja Demokratike, Lëvizja Besa dhe Alternativa si bllok opozitar shqiptar thonë se dyert për t’u bashkuar në këtë bllok janë për çdo subjekt politik i cili dëshiron ndryshimin në kampin politik shqiptar.
“I kemi intensifikuar takimet me qytetarët dhe organet partiake. Besoj që ditëve në vijim të tre subjektet do të mbajmë mbledhjet në organet tona dhe mendoj që javën tjetër do të japim porosinë e qartë për platformën, kandidatin dhe gjitha çështjet tjera me të cilat do të tregojmë se kësaj radhe shqiptarët kanë një opozitë të fortë e cila nuk mbyllet me këto tre subjekte por do të hapë dyert për intelektualët, OJQ-të dhe subjektet tjera dhe gjithkush që e dëshiron ndryshimin në Maqedoni”, tha Izet Mexhiti, kryetar i Lëvizjes Demokratike.
Opozita shqiptare do të ketë kandidatin e tyre për president, por nuk dihet nëse ndonjëri nga liderët mund të jetë kandidat, apo do të caktohet dikush me konsensus të përbashkët.
“Ne kemi thënë se nuk do t’i lëmë shqiptarët të jenë vetëm suportues dhe të mos kenë kandidatin e tyre në zgjedhjet presidenciale. Nuk kemi biseduar për emra dhe nga do të vijmë, por prej tani po e them se do të jenë president i cili do të unifikon dhe do të bën garë serioze dhe do të jetë faktor kyç në zgjedhjet e ardhshme presidenciale. Nuk po flasim nëse do të jetë njëri nga ne”, deklaroi Izet Mexhiti, kryetar i Lëvizjes Demokratike.
Mexhiti, Kasami dhe Gashi deklaruan se cilado datë për zgjedhje është e pranueshme për ta dhe se zgjedhjet presidenciale dhe parlamentare duhet të jenë të përbashkëta me qëllim anashkalimin e harxhimeve të paarsyeshme në krizë ekonomike.