May 12, 2024
Maqedoni

Fraksioni i BDI-së: Buteli është 50 për qind me shqiptarë, dënojmë kontestimin e emrave

Kundër nismës së kryetarit të komunës së Butelit kanë reaguar edhe disa parti politike shqiptare. Fraksioni i BDI-së e dënon ashpër kontestimin e emrave shqip të rrugëve në këtë komunë.

“Theksojmë, se iniciativa e dërguar në Qytetin e Shkupit për miratim, përveç që është tendencioze, është edhe joligjore, sepse vendosja e emrave të rinj të figurave shqiptare është bërë duke i respektuar të gjitha procedurat ligjore dhe duke e respektuar plotësisht Parimin e Badinterit. Këtë proces do ta ndjekim me vigjilencën më të madhe sepse Buteli është përafërsisht me 50% banorë shqiptarë dhe ky realitet duhet patjetër të respektohet” theksohet në komunikatën e fraksionit.

Nga ana tjetër, nga Alternativa nënvizojnë se Buteli është komunë multietnike dhe këtë duhet që Darko Kostovski ta pranojë. “Në komunë zyrtarisht jetojnë 37% shqiptarë, ndërsa jozyrtarisht, sepse ai nuk lejon që njerëzit t’i regjistrojnë adresat e reja këtu, mund të jenë edhe 50%. Prandaj, nëse ai mendon se kështu po e mbron Butelin nga shqiptarët, e mashtron veten dhe i mashtron ndjekësit e tij” theksohet në komunikatën e Alternativës.