April 26, 2024
Shqipëri

Foltorja e Floridas (VIDEO)

Një ditë pas Kuvendit Kombëtar të Partisë Demokratike, lideri historik i kësaj partie ka zhvilluar një bashkëbisedim me demokratet e Floridas në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Zoti Berisha tha se Kuvendi i 11 dhjetorit ishte më i jashtëzakonshmi në historinë e pluralizmit. Ish-kryeministri theksoi se Kuvendi u mbajt nën presionet e jashtëzakonshme të qeverisë, pengut të saj Lulzim Basha, i cili u asistua edhe nga ambasadorja amerikane ne Tirane Yuri Kim

Një ditë pas Kuvendit Kombëtar të Partisë Demokratike, ish-Kryeministri Berisha ka zhvilluar një bashkëbisedim virtual me demokratët e Floridas në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, të cilët ishin mbledhur në qytetin Xheksonville. Berisha ka informuar demokratet për Kuvendin e 11 dhjetorit, i cilësuar prej tij si Kuvendi më i jashtëzakonshëm në historinë pluraliste të Shqipërisë, por dhe të vendeve të tjera.

Ai tha se Partia Demokratike nën drejtimin e Lulzim Bashës ishte zhvendosur nga një forcë konservatore në një parti tërësisht të majtë.

Zoti Berisha reagoi gjatë takimit edhe për mbledhjen e Këshillit Kombëtar të thirrur nga ish-kryetari i Partisë Demokratike Basha dhe kryesia e shkarkuar nga Kuvendi i 11 dhjetorit.

Berisha foli për ndryshimet statutore të miratuara nga Kuvendi i një dite më parë duke veçuar miratimin e primareve sipas modelit amerikan.

Ish-Kryeministri Berisha theksoi presionet e jashtëzakonshme të bëra gjatë kësaj periudhe nga qeveria, pengu i saj në opozitë, por dhe nga ambasadorja amerikane Juri Kim.

Lideri historik i PD, Sali Berisha informoi shqiptarët e Floridas në SHBA, se u shpall non grata nga lobimi korruptiv i George Soros, në bashkëpunim me Edi Ramën, dhe se është abuzuar rëndë me ligjin e Kongresit amerikan.

Ky ishte bashkëbisedimi i dytë i zotit Berisha me shqiptarët në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Me datë 5 dhjetor, ish-Kryeministri Berisha organizoi një foltore virtuale me qindra shqiptarë në Nju Xhersi të Shteteve të Bashkuara. /Syri Tv