Maqedoni

Flet juristi Bardhyl Kuka: DIBRANËT SIKUR QËNKAN LINDUR TË NDAJNË DREJTËSI

Nga: Ilir Kosovrasti, Hysen Kosovrasti

Patronimi Kuka në Dibër duket se është nga më të hershmit. Ndër bashkëluftëtarët e Skënderbeut përmenden disa personalitete më këtë mbiemër (Palkuka, dy Gjergj Kuka etj.). Mbase jo rastësish, në veri të qytetit të Dibrës së Madhe, jo më larg se dy km., ndodhet fshati (lagja) Kukaj, prej nga vijnë edhe familjet e sotme dibrane me mbiemrin Kuka. Kjo lagje u shua nga terrori i shfrenuar i ushtrisë serbe në tetorin e vitit 1913 (në kohën e Luftës së Parë Ballkanike). Në këtë ofensivë forcat serbe vranë e masakruan me mijëra civilë, dogjën e plaçkitën lagje të qytetit dhe dhjetëra e dhjetëra fshatra, në mes tyre edhe lagjen Kukaj. Kukajt morën rrugën e “muhaxhirllëkut” drejt Elbasanit. Kur u kthyen pas tre vitesh, nga shtëpitë e tyre kishin mbet vetëm gërmadhat, andaj ata u vendosën në qytetin e Dibrës së Madhe, ku familja Kuka u merrej me mjeshtri si qeleshepunues, rrobaqepës dhe bujq.
Bardhyl Kuka, ka lindur Dibër të Madhe në 1947. Është fëmija i nëntë i prindërve Vebi e Vaide Kuka (Allajbegu).Shkollimin fillor dhe atë të mesëm i kreu në vendlindje, ndërsa Fakultetin e Drejtësisë në Prishtinë. Punësimin e parë e pati në Gjyqin Komunal në Dibër, gjykatë e shkallës së parë, si praktikant 1970. Pas dhënies së provimit shtetëror të drejtësisë nuk i jepej mundësia për t’u punësuar as në organet e drejtësisë si gjyqtar, prokuror a avokat shtetëror, as në administratën shtetërore bashkiake.
Kjo për arsye, se në vitin 1968, strukturat politike komuniste e etiketuan si anarki-liberalist, pra, i bënë një diferencim ideopolitik “moralisht e politikisht i papërshtatshëm” – “морално политички неподобен”!. Shkakun për këtë “diskualifikim” e gjenin në përmbajtjen e diskutimit të tij në një takim të studentëve dibranë me strukturat politike udhëheqëse të qytetit, ku Bardhyli kish kërkuar që, në kuadër manifestimeve të 500-vjetorit të vdekjes së Heroit legjendar Kombëtar Gjergj Kastrioti – Skënderbeu, si në gjithë Kosovën, ashtu edhe në Dibër, të organizohen aktivitete përkujtimore dhe në këtë rast, nga podrumet e mbeturinave, të nxirrej dhe të rivendosej busti i tij që, për herë të parë në Dibër të Madhe ishte ngritur në 1942, në 30 vjetorin e Pavarësisë, ndërsa në 1952, në një natë terri pushteti sllavo-komunist shqiptaro-fob e kish rrëzuar bustin nga piedestali.
Andaj, si i papërshtatshëm për regjimin, iu përvesh punës herë si avokat privat dhe në administratën e spitalit të qyteti, gjer kur filluan të fryjnë erërat e pluralizmit politik dhe sistemit shumëpartiak, Bardhyli pa u hamendur e pa pikën e druajtjes ndoqi klimën e re politike. Ndër të parët flaku teserën e kuqe komuniste. U bë pjesëmarrës i rregullt në demonstrata e protesta të shqiptarëve kundër politikës së pushtetit sllavo-maqedon, politikës me karakter etno-centrik sllavo-fashist e antishqiptar. Mbase për pjesëmarrje nëpër demonstrata e protesta kishte “përvojën” nga ditët studentore, kur mori pjesë në demonstratën e parë kundër regjimit komunist jugosllav, që u zhvilluan në nëntor të 1968, në Prishtinë dhe në mbarë Kosovën, gjithmonë me parullat: “Kosova Republikë”, “Duam Kushtetutë”, “Duam Univeristet”!
Me krenari përkujton angazhimin dhe kontributin e dhënë për mbajtjen e referendumit gjithëshqiptar në Maqedoni për autonomi politiko-territoriale. Si jurist, ishte njëri nga bartësit më kryesorë për zbatimin dhe mbarëvajtjen e këtij referendumi.
Me ëndje përkujton ditën kur, për herë të parë në jetën e tij, këmba i shkeli në mëmëdhe nënën e kish nga fshatin Allajbegi, të Shqipërisë, afër Dibrës së Madhe. Atje vajti në cilësinë e vëzhguesit të zgjedhjeve të para pluraliste në Shqipëri, më 1992, si aktivist i Forumit Demokratik për Mbrojtjen e Lirive dhe të Drejtave të Njeriut në Maqedoni – Dega në Dibër. Të paharrueshme i janë edhe takimet dhe bisedat që, në këtë rast, i pati me personalitet, si prof. Arben Puto, Fatos Lubonja, Sali Berisha, Sabri Godo e shumë të tjerë. Madje, atë vit, ka patur nderin që në shtëpinë e tij në Dibër të Madhe t’i ketë mysafirë përfaqësuesit e Komitetit Shqiptar të Helsinkut, të nderuarit Prof. Arben Puto, Kujtim Çashku, Maks Velo, Fari Balliu etj.
Me nostalgji përkujton profesorin Nehat Bellçishta, me cilin, dhe me disa të tjerë, në Ditët e Mbrëmjeve të Poezisë Strugane, shkrimtarit të madh Dritero Agolli i bënë ftesë për një takim poetik me dibranët. Driteroi atë mbrëmje para qindra të pranishmëve s’i mbante dot emocionet, dukej sikur nga afër pa se ne të kësaj ane të kufiri shqiptaro-shqiptar sa kishim pas mall e zjarr atdhedashurie dhe sa e madhe ishte nostalgjia jonë për mëmëdhenë.
Bardhyli me mall të madh flet edhe për vizitën që atij në Shkup i bërë i gjithanshmi, mendjendrituri, historiani, koreografi, rapsodi, etnologu dibran Azis Ndreu. Tregon se, kur ai nga maja e malit të Vodnës mbi Shkup pa panoramën e tërë qytetit dhe katundeve për rreth, ka pyetur Bardhylin: cilët janë ata katunde, të ç’kombësie janë? Dhe, kur mori përgjigjen, se janë fshatrat e anës së Sarajit, Karshiakës, Karadakut, të gjitha gati me mbi 90% popullsi shqiptare, etnologu, pa u menduar më shumë kish thënë: “Ky është argument i fortë që tregon se Shkupi ka qenë qytet i banuar nga shqiptarët. Siç ka qenë rrethina, e tillë ka qenë edhe qendra”!
Në vitin 1990, Dibër të Madhe u hap Dega e FDMDLNJ (Forumit Demokratik për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Qytetarit në Maqedoni, selia në Gostivar. Bardhyli zgjidhet kryetar i kësaj dege. Nga ky “post”, ai, me krenarie guxim u vu në mbrojtje të të drejtave dhe lirive të njeriut. Ishte koha, kur reagohej kundër dënimeve për delikt verbal, kundër shkeljeve të lirive dhe të drejtave njeriut që pushteti i bënte ndaj qytetarit. Ka reaguar edhe kundër vrasjeve në kufi dhe maltretimeve që kufitarët e ushtrisë jugosllave dhe policisë maqedone u bënin shtetasve shqiptarë kur ata ilegalisht kalonin kufirin shtetëror, në realitet: kufirin dibrano-dibran Dibër e Madhe-Dibër e Vogël, Peshkopi. Për këta ngjarje, Dega e FDMLDJ rregullisht njoftonte/reagonte dhe me shkrim deri te organet shtetërore federative jugosllave dhe ata republikane maqedone, përkatësisht në Beograd dhe Shkup.

Bardhylit dhe myftiut të Dibrës, të nderuarit, Ruzhdi Lata nuk ju tremb syri e as nuk ju dridh zëri para ministrit të Punëve të Brendshme të Maqedonisë, i cili, një ditë erdhi në Dibër për t’i frikësuar dibranët. Por, këta dy burra të guximshëm, atij ia numëruan në detaje shkeljet e të drejtave të njeriut dibranëve që u bënte policia vendore, kuptohet me dijen dhe lejen e eprorëve të tyre. Në atë takim ministrit “iu lag baruti”, vetëm pas pak orësh shkarkoi kryepolicin dhe transferoi (largoi) 5-6 policë tjerë nga Dega policore e Dibrës.
Përmes faqeve të të vetmes gazetë në gjuhën shqipe ‘’Flaka e Vëllazërimit’’ , Bardhyli, si kryetar i Degës së FDMLDNJM, denonconte edhe për shkelje të tjera që regjimi u bënte shqiptarëve, turqve dhe romëve. P.sh. në mbarë Maqedoninë, shqiptarëve u ndalohej të pagëzonin fëmijët e tyre me emra që “ngjallnin asocione nacionaliste e irredentiste shqiptare”, si: Alban-a, Atdhe, Flamur, Ilir/Iliriana, Kastriot, Vlora, Liri/Liridona, Kushtrim, Enver edhe pse dikujt babanë ia kishin quajt Enver etj., etj. Ndihmonte edhe për korrigjimet e mbiemrave shqiptarë që ofiqarët ua sllavizonin me prapashtesat “ski”, “ov”, “ovski”, “iq” e “viq”. Mbështeste kërkesat e prindërve për rihapjen e paraleleve në gjuhën shqipe nga kl.V-VIII në gjuhën shqipe të mbyllura një vit më herët në shkollën e fshatin Ballancë, Dibër e Madhe. Mbështeste bojkotin me ngujim dhe me uri të turqve të Zhupës së Dibrës për hapjen e paraleleve me mësim në gjuhën turke. Denoncoi edhe kërcënimet më largim nga puna që regjimi u bënte arsimtarëve shqiptarë në shkollat me mësim në gjuhën shqipe, të cilëve u urdhërohej në ditarët e orëve të mësimit, njësitë metodike që ligjëronin detyroheshin t’i shkruajnë në gjuhën maqedone (p.sh.jo:“Bagëti e Bujqësi”, por „Сточарство и земјоделство“)! Denonconte urdhrat për heqjen e fotografive të shkrimtarëve dhe veprimtarëve shqiptarë nga muret e klasave dhe korridoreve të shkollave shqipe, si ato të Ismail Kadare, Dritero Agolli, Ismail Qemali, etj.Ashpër kundërshtonte largimet e shqiptarëve nga puna për motive politike. Te organet shtetërore republikane e federative dërgonin shkresa-reagimet për vrasjet, torturat, maltretimet, bastisjes, thirrjet në “biseda informative” në polici që u bëheshin shqiptarëve.
Aktivitetet që Bardhyli kish treguar si kryetar i Degës së FDMLDNJ u kishin rënë në sy dhe ishin vlerësuar shumë pozitivisht nga pishtarët e parë të pluralizmit politik në Dibër z. Qemal Xhafa, kryetar i parë i Degës së PPD Partisë për Prosperitet Demokratik në Dibër, dy mandate kryebashkiak. Ndaj, nga kjo erdhi edhe befasie. Me formimin e qeverisë më 1993, Bardhyli, ende pa qenë anëtar partie i PPD-s), zgjidhet zëvendës ministër në Ministrinë e Drejtësisë. Do theksojmë, se në vitet e para pas Luftës së Dytë Botërore ministër i parë i drejtësisë në Maqedoni ka qenë Xhafer Kodra, ndërsa Nexhat Agolli – ministër i punës dhe politikës sociale, që të dy shehërli. Por, fatkeqësisht politika shoviniste e sllavo-hegjemonistë këta ministri i burgosi, i zhduku. Më vonë, kah vitet e 70-ta, të shekullit të kaluar, ministër i drejtësisë përsëri ka qenë dibrani Galip Dema. Çfarë koincidence! Sikur dibranët na qenkan “të lindur” për juristë, që të ndajnë drejtësi edhe në nivele më të larta.
Bardhyli, në Ministri, që në fillim, iu përvesh punës për denoncimin e politikës së kuadrit, gati një nacionale maqedone, të pushtetit të deriatëhershëm, përkatësisht mospërfshirjen e kuadrove shqiptare në administratën shtetërore. Pikësëpari, në vetë Ministrinë nga dhjetëra e dhjetëra të punësuar maqedonë, nuk kishte asnjë kuadër shqiptar, madje as edhe daktilograf, vozitës e korrier. Nëpër gjyqe, nga ata të shkallës së parë e deri në Gjykatën Supreme, nga rreth 400 gjyqtarë, vetëm 15-16 ishin shqiptarë.
Në Gjyqet ekonomike – vetëm dy gjyqtarë shqiptarë. Në gjyqet për kundërvajtje nga gjithsej 120 gjyqtarë, vetëm 10 ishin shqiptarë. Në prokuroritë nga gjithsej 124 prokurorë, vetëm dy ishin prokurorë shqiptarë. Në Avokatinë shtetërore nga gjithsej 45, asnjë shqiptar. Nëpër drejtoritë e burgjeve asnjë drejtor a zëvendës drejtor shqiptar. Kuadro shqiptare nuk kishte as në radhët e inspektorëve administrative. Nëpër zyrat rurale të gjendjes civile, që ishin në kuadër të organeve të Ministrisë së drejtësisë, të punësuarit shqiptarë ishin të rrallë, madje edhe nëpër qendra rurale të banuara nga popullata shqiptare, ofiqarët të shumtën e rasteve ishin jo shqiptarë. Në këto organe nuk pranoheshin as edhe praktikantë apo bashkëpunëtorë profesionale shqiptarë. Shqiptarët shumë të pakët ishin edhe në radhët e nëpunësve në administratën e përgjithshme dhe në radhët e përkthyesve gjyqësorë.
Ndaj, detyrë primare e Partisë për Prosperitet Demokratik, si pjesëmarrëse në pushtet dhe e Bardhylit, si zv.ministër, ishte përpjekjet për përmirësimin e strukturës nacionale në organet e drejtësisë në gjyqësi, prokurori, avokaturë shtetërore dhe në organe administrative tjera si drejtori burgjesh, inspektorate administrative, zyra të gjendjes civile, etj.

Me modesti Bardhyli, përmendën: ‘’Përpjekjet filluan të japin rezultate: kuadrat shqiptarë për çdo ditë e më tepër emëroheshin në poste: gjyqtarë, prokurorë, avokatë shtetërorë, zëvendës drejtorë burgjesh, inspektorë, ofiqarë, përkthyes gjyqësor të autorizuar etj.’’
Pas kalimit të mandatit si zv.ministër i Drejtësisë, Bardhyli, në vitin 1997, u zgjodh prokuror në Prokurorinë Republikane në Prokurorinë e Përgjithshme. Punën si prokuror e kreu me profesionalizëm, ndërgjegje të pastër e ndershmëri. Për aq sa i kishte mundësitë, kurrë nuk lejoi që shqiptarët dhe të drejtat e tyre të nëpërkëmben nga mendime dhe sjelljeve albano-fobe sllavo-maqedonëve. Gjithmonë ishte në mbrojtje të të drejtave të ligjshme të tyre.
Si jurist dhe prokuror me përvojë, pos punës së rregullt në prokurori, u angazhua edhe si edukator/ligjërues në Akademinë e Gjyqtarëve dhe Prokurorëve. Ndërsa pas pensionimit disa muaj qe angazhuar edhe si këshilltar i Prokurores Speciale për Ndjekjen e Kryesve të Veprave Penale që Rrjedhin nga Përgjimet e Paligjshme në Maqedoni.
Merrej edhe me shkrime nëpër faqet e shtypit në “Flaka”, “Tribuna-Sh”, “Koha”, “Rruga e Arbrit”, “Dibra”, kryesisht me tema nga lëmia e drejtësisë, por edhe të tjera, si monografi figurash me meritë etj.
Për Bardhylin dhe për anëtarët e familjes së tij, e sidomos për bashkëshorten Lindihanën, vlen të theksohet karakteri dhe shpirti i tyre modest,altruist, fjalëpak, patriotik, humanitar. Vuajtjet e shqiptarëve i ndjejnë si vuajtje edhe të tyre. Në muajt e eksodit biblik të kosovarëve, banesa e familjes Kuka në Shkup atyre u ofroi strehim. Me “turne” aty për tre muaj rresht gjetën streh mbi 30 kosovarë të dëbuar nga vatrat e tyre shekullore. E njëjta situatë u përsërit edhe në kohën e konfliktit të armatosur ndërmjet shqiptarëve të Maqedonisë me pushtetin maqedon. Për gjatë tre muajve, sa zgjati zhvendosja e familjeve të fshatrave shqiptare, familja Kuka strehoi familjen prej nëntë anëtarësh Jashari nga fshatin Ropallcë, Kumanovë.
Madje, Bardhyli shumë dertlinjve u ofron ndihmë juridike pa pagesë, përpilim kërkesash, parashkresash, ankesash etj, për të fituar ndonjë të drejtë që u takon. Këtu duhet përmendur kontributin që u ka ofruar shqiptarëve për fitimin e shtetësisë, korrigjimin e mbiemrave të sllavizuar etj.
Por, ka një Zot që Bardhylit këtë mund nuk ia humb! Shoqata qytetare “Nënë Tereza” në Shkup atë e ka nderuar me Mirënjohjen “Shkupjanja Nënë Tereza” me motivacion: për aktivitete humanitare! Ai edhe përmes faqeve të facebookut shpesh merr falënderime dhe mirënjohje nga qytetarë të ndryshëm për punën me profesionalizëm, me ndershmëri dhe me guxim që ka bë në dobi të tyre.
Është njëri nga themeluesit dhe aktivist i Shoqatës së Dibranëve në Shkup Oda Dibrane. Dibrani kudo që të jetë, lidhjen me vendlindjen nuk e shkëput! Këtë duhet përcjellë edhe brezave.
Pas 15 vite pune në Prokurori, Bardhyli u pensionua. Vazhdon të jetojë në Shkup. Moshën e pleqërisë e kalon pranë familjes, me plot nipër e mbesa. Merret me sportin e bjeshkëtarisë. Në këtë aktivitet shok të pandarë e ka bashkëshorten Lindihanën, fëmijët, nipërit e mbesat – të gjithë bashkë. U është ngjitur edhe majave më të larta nga Vodna, Sharri, Korabi, Jabllanica, e deri në Kelmend, Valbonë e në Taraboshin magjik.
Gjatë jetës së tij nuk krijoi ndonjë kapital për luks apo për aventura. Nuk ndërtoi vila në det a në bjeshkë, por ka krijuar kapitalin më të çmuar në jetë – ka ndërtuar një familje të shëndoshë, familje shembullore. Ajo është pasuria dhe krenaria e tij më e madhe.

Për fund, ai, shprehet:
Subjekti politik shqiptar në Maqedoni, pikë së pari Partia për Prosperitet Demokratik (PPD), si pjesëmarrëse në pushtet, që në fillim nisi luftën politike të gjithanshme për përmirësimin e statusit politike, shoqëror, ekonomik, arsimor, kulturor të shqiptarëve. Nisi luftën për lirinë e fjalës, qarkullimin e lirë të njerëzve, mallrave dhe ideve.
PPD-ja iu përkushtua përfshirjes së nxënësve shqiptarë në shkollimin e mesëm. P.sh. për derisa nxënësit maqedonë që mbaronin shkollimin fillore (tetëvjeçaren) me mbi 90% vazhdonin shkollimin e mesëm, nxënësit shqiptarë as 10% nuk regjistroheshin në shkollat e mesme, që gati se të gjitha ishin vetëm në gjuhën maqedone. P.sh. në Shkup vetëm Gjimnazi “Zef Lush Marku” ishte me mësim edhe në gjuhën, kurse dhjetëra e dhjetëra shkolla të mesme tjera ishin vetëm në gjuhën maqedonishte. Nëpër qytetet shqiptare tjera si në Tetovë, Gostivar, Dibër, Strugë etj, kishte nga një shkollë të mesme në gjuhën shqipe. Andaj u desh me mjete demokratike, me protesta, bojkote, demonstrata të luftohet për hapjen e më shumë shkollave të mesme me mësim në gjuhën shqipe në më shumë qytete.
Juristi Bardhyl Kuka do të shtojë: ‘’Përveç se një Shkollë të Lartë Pedagogjike gjysmake, nuk kishte asnjë fakultet me mësim në gjuhën shqipe. Me gjak, protesta, demonstrata, u hap Universiteti i Tetovës. Në ditën e hapjes forca policore gjuajtën në turmën e demonstruesve, vranë studentin Abdulselam Emini, arrestuan dhe dënuan me burgim rektorin Fadil Sulejmani, kryetarin e Senatit Milaim Fejziu dhe ca profesorë tjerë. Pushteti këtë universiteti me vite të tëra nuk e pranonte, e quante të paligjshëm.
Gazeta ‘’FLAKA’’ u bë gazetë ditore.
Programet e Radiotelevizionit maqedon dhe të Radio Shkupit, emisionet në gjuhën shqipe u zgjeruan dhe u shtuan për disa orë më shumë.
Në Strugë, për herë të parë në Maqedoni filloi të mbahet festivali i këngës shqipe KËNGË JEHO. Por, në Strugë kurrë nuk ftoheshin poetët nga Shqipëria për të marrë pjesë në Mbrëmjet Strugane të Poezisë, edhe pse aty ftoheshin poetë nga mbarë bota. Edhe kur filluan të ftohen pas më se dy-tre dekadash, albano-fobët e shovinistët maqedonë disa vite rresht përdhosnin dhe grisnin flamurin kombëtar shqiptar, ndërsa mbi 50 flamujt e shteteve tjera nuk u pengonin aspak.
Numri i të punësuarve shqiptarë nga dita në ditë rritej edhe në radhët e policisë dhe ushtrisë.
Rritej edhe numri i shqiptarëve si bartës të funksioneve udhëheqëse në më shumë organe shtetërore.
Plagë e rëndë për shqiptarët u paraqit edhe mosnjohja e shtetësisë për mbi 120.000 banorë. Numri i aparteidëve ishte shumë i madh, veçanërisht ndër banorët shqiptar. Kjo dukuri binte ndesh edhe me konventat ndërkombëtare për shtetësinë. Në vitet në vazhdim kjo plagë mbase u shërua pak, por jo krejtësisht.
Por, forca e subjektit politik shqiptar PPD pësoi një thyerje të madhe kur përbrenda tij ndodhi përçarja e madhe. Përçarjen e bënë njerëz të infiltruar nga sigurimi i shtetit. Këtë fakt e pranoi edhe njëri nga ish ministrat e punëve të brendshme në Maqedoni z. Pavle Trajanov, i cili në një tv-interviste në mes tjerash tha: “PDSH e formuam ne me qëllim që të amortizojmë forcën e PPD. Me Mendu Thaçin kishim takime të shpeshta, ndërsa me Arben Xhaferin, më rrallë…”. Andaj edhe zgjedhjet parlamentare dhe ata vendore zhvilloheshin me kërcënime fizike, deri edhe në humbje të jetëve të njerëzve. Ndodhën vrasje aktivistësh partiakë, plagosje me armë zjarri, falsifikime të rezultateve të zgjedhjeve. Në fshatin Kondovë të Shkupit aktivistë të PDSH në vendvotim vranë një të ri, në Dibër të Madhe plagosën aktivistin e PPD. Dhe, pushteti para gjithë këtyre krimeve mbetej i verbër dhe shurdhëmemec’’.