Flet Izet Mexhiti, tregon pse “Grupi i Zjarrit” nuk shkoi në takimin e fund-vitit të BDI-së
Kokteji i fundvitit i thirrur nga kryetari i BDI-së, Ali Ahmeti e gjeti partinë me kryesi të përgjysmuar. Nuk morën pjesë nënkryetari, Izet Mexhiti, sekretari organizativ, Blerim Bexheti dhe kreu i Çairit, Visar Ganiu. I pyetur nga Alsat, Mexhiti tha se kjo ishte një porosi politike për pakënaqësinë që ka grupi i zjarrit si pasojë e mos vazhdimi të llogaridhënies së ekzekutivit dhe mos përgjegjësisë ndaj performancës së dobët politike. Mexhiti paralajmëron se kjo papërgjegjësi së shpejti do të ballafaqohet me opinionin.
“Është sinjal politik për mos pajtueshmërinë tonë në vazhdimësinë e debatit serioz brenda organit më të lartë partiak, kryesisë së BDI-së. Prolongimit të ballafaqimit për llogaridhënie të ekzekutivit dhe mos përgjegjësisë ndaj performancës politike e cila është lehtë e dëshmueshme e që të njëjtën opinioni publik do të ketë mundësi ta shikoj dhe ballafaqoj”, tha Izet Mexhiti, Nënkryetar i BDI-së.
Mexhiti bashkë me deputeten tjetër të BDI-së, Merita Koçaxhiku ditë më parë nuk ishin prezent as në fjalimin vjetor të Presidentit Stevo Pendarovski. Për këtë nga BDI nuk kishin një arsyetim, ndërsa koordinatori i grupit parlamentar, Arbër Ademi tha shkurt për media se për fjalimin e Presidentit, Kuvendi kishte kuorum. Çështja e llogaridhënie së ekzekutivit të BDI-së u harrua. Pas zgjedhjes së organeve të reja dhe përpilimit të raportit për punën e ministrave, organet e partisë më nuk u mblodhën, ndërsa u harrua edhe raporti i cili duheshe të redaktohej nga Artan Grubi, Faton Ahmeti dhe Izet Mexhiti. Pakënaqësitë brenda BDI-së filluan që me përzgjedhjen e kabinetit Qeveritar në korrik të vitit 2020, ndërsa dolën në opinion në shtator pas letrës publike që adresuan disa funksionar të partisë duke përmendur dështimet sipas tyre të ekzekutivit dhe moszbatimin e programit zgjedhor. Ahmeti thirri organet e partisë gati tre vite pas kongresit të fundit, por grupi i zjarrit i sistemuar brenda organeve thanë se nuk mjaftojnë pozicionet partiake pa llogaridhënien e ekzekutivit dhe shkarkimin e ministrave me performanca të dobëta. Mbledhja e fundit e kryesisë së BDI-së u mbajt në fund të muajit tetor. /Alsat.mk