Kulturë

Filmi kushtuar Çamërisë mbyllet me vargjet e Avni Deharit: “Çdo mëngjes lindim Me mallin për Ty” (Video)

Filmi dokumentar “Koha për t’u kthyer në shtëpi” mbyllet me vargjet shumë të ndjera për Çamërinë shkruar nga studiuesi, shkrimtari dhe deputeti i Republikës së Kosovës Avni Dehari.

Publiku mundi t’a ndjek mbrëmë në RTK dokumentarin “Koha për t’u kthyer në shtëpi”, transmeton Lideri.mk.
Filmi dokumentar i cili i kushtohet tragjedisë çame.

Vargjet për Çamërinë shkruar nga Avni Dehari:

ÇAMËRI, DHEMBJA IME

Çdo mbrëmje vdesim,
Nga plagët e Tua,
Çdo mëngjes lindim
Me mallin për Ty,
Çamëri!

Midis stuhish,
Në udhëkryq të takova,
Çarlat e gjoksit Tënd
Ma ngjethën mishtë,
Memec mbeta,
E baladën për Mollën e Kuqe
Në vargun e përgjakur ta fsheha!

Buzëplasura Çamëri,
Vajtoret
Flokëthinjura,
Faqeçjerra,
Mbi kurmin Tënd,
Një grusht dhe në cep shamie,
Natë e ditë ta bëjnë gjëmën!

Kobzeza Çamëri,
S’paska varg që t’i numëron plagët!
Ku ta gjej atë varg që t’i mëlcon dhembjet?!

Gjëmëmadhja Çamëri,
Në balljen ngjyrë deti,
Në jelekun fletë shqiponje,
Në xhufkën e opingës,
Bullungë dhembjeje,
Në palën e fustanellës,
Palë flamuri,
Mallkimi,
Mallkthimi,
Lëmashk të kanë zënë!

Çamëri,
Dhembja ime,
Altar t’u bëfsha
Ditën e martirizimit,
Përkrah Thesprotit
Në Dodonë!

Për ty, Çamëri,
Që të nesërmen,
Në tokë e në qiell
Diellit pellazg do t’i falem
Për tri ditët e afshit të zemrës,
Për të cilat jemi velur me ëndrra
Në net dimrash
Dhe me vesë lulesh kemi njomur shpresën
Në ditë pranverash.

E shenjta Çamëri,
Ditën e parë,
Lavën e Vezuvit
Mbi Zervën me gjithë lukuni
Do ta derdh!

Ditën e dytë,
Zjarrin e plagëve të Tua
Dhe afshin e mallit për Ty,
Në Thyamis për pak kohë do t’i shuaj,
Jo më shumë se sa të zbardhë e treta ditë!

Ditën e tretë,
Që pa dalë ylli i mëngjesit,
Tokës mëmë,
Si bir i saj tragjik,
Do t’i përgjërohem,
Që fill pas grahmës së fundit
Me dhembshuri mëme
Të më marrë në gji,
Lehtas me fytyrën nga Ti
Trupin të ma shtrijë!

Në m’i mbylltë veshët e gojën,
Të mos m’i mbyllë qepallat,
Se sytë nuk durojnë,
Sa bota kanë mall për Ty!

Ndryshe, nuk do të gjej prehje,
Çamëri, mirazh i mëngjeseve,
I mesditave, i mbrëmjeve
Të jetës sime!

Pak pa rënë muzgu,
Sapo dielli të falet,
Përultas, me zemër në dorë e me lot në sy,
Tokës mëmë
Për herë të fundit do t’i përgjërohem:
Mishin e eshtrat në m’i trettë,
Dhembjen e plagëve të Tua
Dhe mallin për Ty,
Deri në Apokalips të mos m’i cenojë!

Ndryshe, nuk do të gjej prehje,
Çamëri, mirazh i mëngjeseve,
I mesditave, i mbrëmjeve
Të jetës sime!

Përgatiti dhe redaktoi: Q. Bajrami